Politike

Akuzohet për shpërdorim detyre e fshehje pasurie/ GJKKO pranon kërkesën për gjykim të shkurtuar të ish-kryebashkiakut të Himarës Jorgo Goro, seanca e radhës më 10 shkurt

Prokurori i çështjes, Olsi Dado tha se është provuar shpërdorimi i detyrës në dy episode si dhe mosdeklarimi dhe fshehja e pasurisë nga ana e Goros.

27 Janar 2025, 11:28 Nga N.F
Akuzohet për shpërdorim detyre e fshehje pasurie/ GJKKO pranon
Jorgo Goro

TIRANË- GJKKO në seancën e sotme ka pranuar kërkesën e ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro për gjykim të shkurtuar. Goro akuzohet për veprën penale “Shpërdorim detyre”, kryer në dy raste dhe mos deklarim të pasurisë. Në seancën e sotme i pranishëm në sallë ka qenë edhe Jorgo Goro. Seanca e radhës u caktua më 10 shkurt në orën 13:00.

Prokurori i çështjes, Olsi Dado tha se është provuar shpërdorimi i detyrës në dy episode si dhe mosdeklarimi dhe fshehja e pasurisë nga ana e Goros. Gjyqtari i themelit, Ardit Mustafaj pranoi kërkesën e ish-kryebashkiakut për procedurën e gjykimit të shkurtuar. Bashkë me Jorgo Goron, nis gjykimi edhe për ish zyrtarët e tjerë të bashkisë Vezir Gjikoka dhe Jerasimo Basho, ndërsa ish kreu i kadastrës Vlorë Bilbil Aliaj do të gjykohet me gjykim të zakonshëm. Gjykata vendosi ndarjen e çështjes.

Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, u arrestua për shpërdorim detyre, kryer në bashkëpunim në lidhje me tjetërsimin e një sipërfaqeje toke, që gjendet në fshatin Gjilekë të Dhërmiut, të cilën Gjykata e Posaçme e ka nën sekuestro. Këto sipërfaqe prej rreth 10 mijë metra katror janë sekuestruar nga SPAK dhe si përfitues fundor kishin ish-deputetin Artan Gaçi.

Goro u arrestua në muajin mars të këtij viti, pas kallëzimit te depozituar nga Fredi Beleri, i cili la qelinë pak muaj më parë. Për të njëjtën çështje, do të gjykohet edhe ish-kreu i Kadastrës së Vlorës, Bilbil Aliaj, i cili ndodhet në masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ si dhe ish-juristi Vezir Gjikoka që ka masën ‘arrest në shtëpi’.

jorgo goro

Sondazh

Poll