Aktualitet

Beogradi i ndalon hyrjen në Serbi për një vit dy shqiptarëve/ Ministria e Jashtme thërret në takim ambasadorin serb në Tiranë: Autoritetet serbe të rishikojnë vendimin

Dy shqiptarët ishin pjesë e të 14 anëtarëve të shoqërisë civile, të cilëve shërbimi sekret serb, në bashkëpunim me policinë, i intervistuan dhe vendosën në pasaportat e tyre vulat e ndalimit të hyrjes në Serbi për një vit

23 Janar 2025, 17:26 Nga r.ll
Beogradi i ndalon hyrjen në Serbi për një vit dy
ministria e jashtme

TIRANË- Serbia iu ka ndaluar hyrjen në vend për një vit, 14 përfaqësuesve të shoqërisë civile nga disa shtete europiane, mes tyre dhe dy shqiptarë, me argumentin se këta persona përbëjnë “rrezik për sigurinë kombëtare”.

Sipas raportimeve të gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu, më 21 dhe 22 janar ata ndodheshin në Beograd me ftesë të fondacionit austriak Erste për të diskutuar “strategjitë përmes të cilave organizatat jo qeveritare mundet të krijojnë të ardhura”. Gazmir Memaj nga fondacioni “Mary Ward Loreto” dhe Edlira Lilaj nga “Organizata Help” në Tiranë, ishin pjesë e të 14 anëtarëve të shoqërisë civile, të cilëve shërbimi sekret serb, në bashkëpunim me policinë, i intervistuan dhe vendosën në pasaportat e tyre vulat e ndalimit të hyrjes në Serbi për një vit.

Bëhet me dije se dy shqiptarët përmes postës elektronike për ngjarjen vunë në dijeni ambasadën e vendit tonë në Beograd e cila shprehu keqardhjen dhe kërkoi të dhëna të tjera për të informuar Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme për të shqyrtuar hapat që mund të ndërmerren. Ndërkohë përmes një reagimi për mediat, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka treguar veprimet e ndërmarra për këtë rast, ku thuhet se është thirrur në takim ambasadori serb në vendin tonë. 

“Sot, më 23 janar 2025, u thirr në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme Ambasadori i Republikës së Serbisë, z. Slobodan Vukçević. Gjatë takimit, iu transmetua keqardhja dhe shqetësimi serioz për ndalimin dhe largimin nga territori i Serbisë të dy shtetasve shqiptarë, përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët po merrnin pjesë në një seminar në Beograd. Këtë veprim nuk e konsiderojmë në përputhje me dëshirën dhe përpjekjet tona për të ruajtur marrëdhënie të mira fqinjësore dhe me impakt negativ në lëvizjen e lirë të shtetasve tanë. MEPJ kërkoi sqarime lidhur me këtë rast dhe theksoi nevojën që autoritetet serbe të rishikojnë dhe të marrin në konsideratë apelimin e vendimeve të marra. U kërkua gjithashtu që të mos lejohet përsëritja e ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Ky rast është duke u ndjekur me vëmendje të plotë nga Ambasada Shqiptare në Beograd.", thuhet në reagimin e ministrisë.

ministria e jashtme serbi edlira lilaj gazmir memaj

Sondazh

Poll