Sport

Korça zgjedh më të mirët e sportit në 2024, Duka përshëndet Galanë! - VIDEO

Eventi u mbajt në teatrin “Andon Zako Çajupi” me pjesëmarrjen e personaliteteve të sportit dhe shumë të ftuarve të tjerë.

21 Janar 2025, 18:05 Nga DOSJA
Korça zgjedh më të mirët e sportit në 2024, Duka

KORCE - Në qytetin e Korçës u zhvillua të hënën mbrëmja gala “Më të mirët e sportit 2024”, ku u vlerësuan 10 sportistët më të mirë të qarkut, përfaqësues nga disiplina të ndryshme sportive. Eventi u mbajt në teatrin “Andon Zako Çajupi” me pjesëmarrjen e personaliteteve të sportit dhe shumë  të ftuarve të tjerë. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, përshëndeti mbrëmjen gala përmes një video-mesazhi, duke vlerësuar organizatorët dhe duke përgëzuar sportistët për sukseset e tyre gjatë vitit 2024.

Në mesazhin e tij, ai theksoi rëndësinë e investimeve të mëtejshme në infrastrukturën sportive për t’i hapur rrugë arritjeve të tjera në të ardhmen. Më poshtë, përshëndetja e plotë e presidentit Duka për eventin “Më të mirë e sportit 2024” të Qarkut Korçë:

Të nderuar të pranishëm, personalitete e të ftuar!

Është një kënaqësi e veçantë për mua të jem pjesë e kësaj mbrëmjeje të jashtëzakonshme ku vlerësohen 10 sportistët më të mirë të qarkut Korçë për vitin 2024, qoftë edhe virtualisht. Tradita e shkëlqyer sportive e këtij rajoni, nga futbolli, atletika, deri te disiplina të tjera sportive, është një pasuri e çmuar për sportin shqiptar dhe një frymëzim për brezat e ardhshëm. Ju përgëzoj për këtë organizim dhe vlerësoj jashtëzakonisht shumë faktin që jeni bërë bashkë për të festuar arritjet e sportit korçar në një event gala.

Dua të shpreh mirënjohjen time të gjithë fituesit që me talentin dhe përkushtimin e tyre kanë ngritur lart emrin e qarkut Korçë. Ju përfaqësoni një motiv të madh krenarie për popullin korçar.

Ju ftoj të vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta për të përmirësuar infrastrukturën dhe mjediset sportive në zonën e Korçës, pasi është një aspekt shumë i rëndësishëm që kërkon të gjithë vëmendjen tonë.

Korça është një qytet sportdashës dhe prej shumë vitesh është dalluar për prodhimin e elementëve elitarë në sporte të ndryshme.

Falënderime të përzemërta për organizatorët e këtij eventi të rëndësishëm dhe urime për të gjithë sportistët që janë sot pjesë e kësaj mbrëmjeje gala. Uroj që suksesi i sportit në Korçë e veçanërisht futbolli të vazhdojë të shkëlqejë edhe në të ardhmen!

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll