Aktualitet

"Ku dështoi qeveria sipas qytetarëve?" Sondazhi nga IRI në Shqipëri: Mbështetje e fortë për luftën kundër korrupsionit, dëshirën për qeverisje demokratike, por edhe shqetësime për ekonominë

 Sondazhi i fundit zbuloi se 76% e shqiptarëve i besojnë Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). 51% e shqiptarëve thonë se kanë më pak gjasa të mbështesin një kandidat apo parti në zgjedhje nëse kërkojnë të kufizojnë punën e SPAK.

14 Janar 2025, 17:34 Nga M.B
"Ku dështoi qeveria sipas qytetarëve?" Sondazhi nga IRI
Tirana

TIRANA- Një sondazh i sapopublikuar i opinionit publik në Shqipëri nga  Qendra e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) për Vështrime në Kërkimin e Anketave  (CISR) zbulon mbështetje të fortë për luftën kundër korrupsionit, një dëshirë për qeverisje demokratike dhe shqetësime mbi ekonominë. Bazuar në të dhëna, rezulton se më pak se gjysma e të anketuarve (49%) janë të kënaqur me mënyrën si po zhvillohet demokracia në vend, ndërsa gjysma tjetër shprehen të pakënaqur dhe shumë të pakënaqur.

 Sondazhi i fundit zbuloi se 76% e shqiptarëve i besojnë Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). 51% e shqiptarëve thonë se kanë më pak gjasa të mbështesin një kandidat apo parti në zgjedhje nëse kërkojnë të kufizojnë punën e SPAK. Sondazhi zbuloi gjithashtu se 80% besojnë se demokracia është forma më e mirë e qeverisjes.

“Me zgjedhjet parlamentare që vijnë më 11 maj , është një shenjë pozitive që një shumicë dërrmuese e shqiptarëve duan të shohin vazhdimin e luftës kundër korrupsionit. Përpjekjet kundër korrupsionit do të rrisin transparencën dhe llogaridhënien midis zyrtarëve të zgjedhur dhe do të forcojnë besimin tashmë të fortë se demokracia është forma më e mirë e qeverisjes”, tha Paul McCarthy, Drejtor i Evropës për IRI.

Gjithashtu, sondazhi zbuloi se ekonomia mbetet shqetësimi më i madh. Konkretisht, kostoja e lartë e jetesës është prioriteti kryesor për 80% të qytetarëve; prioriteti i dytë më i lartë është papunësia (45%). Mësohet se puna në terren për sondazhin u krye midis 3 tetorit dhe 2 nëntorit 2024, përmes teknikës së Intervistimit Personal të Asistuar me Kompjuter (CAPI), e administruar përmes intervistave ballë për ballë në shtëpitë e të anketuarve.

Ndërkohë, kampioni prej 1200 shqiptarësh u mor nëpërmjet një përzgjedhjeje të grupimeve të shtresuara shumëfazore dhe kampioni i arritur u studiua për grupmoshat, rajonin sipas urbanitetit, gjinisë dhe arsimit sipas parametrave të Censusit 2023. 

sondazhi shqiperia

Sondazh

Poll