Aktualitet

Dosja e Suel Çelës, Apeli i GJKKO-së heq çdo masë sigurie ndaj gazetarit Elton Qyno

Qyno ishte me masën detyrim paraqitje për veprën penale korrupsion pasiv në sektorin privat.

14 Janar 2025, 13:42 Nga N.F
Dosja e Suel Çelës, Apeli i GJKKO-së heq çdo masë
Elton Qyno

TIRANË- Gjykata e Posaçme e Apelit ka marrë vendim ditën e sotme për të hequr çdo masë sigurie ndaj gazetarit, Elton Qyno në kuadër të procedimit penal për dosjen e Suel Çelës. Qyno ishte me masën detyrim paraqitje për veprën penale korrupsion pasiv në sektorin privat.

Ndërkohë gjyqtari Dhimitër Lara la në fuqi masat e sigurisë arrest në burg për ish-gjyqtaren e Elbasanit, Pajtime Fetahu dhe vëllezërit Marsel e Xhino Roka.

Njoftimi i plotë;

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Dhimitër Lara, sot më 14.01.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 2 akti, datë 06.01.2025 regjistrimi, mbi ankimin e personave nën hetim M.R., Xh.R., E.Q., P.F., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 138, datë 22.11.2024 dhe nr. 146, datë 27.11.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

Miratimin e vendimit n.138 datë 22/11/2024 dhe vendimit n.146 datë 27/11/2024 të Gjyqtarit që shqyrton kërkesat e palëve gjatë hetimeve paraprake në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të hetuarit apelues z.M..R., z.Xh.R. dhe znj.P.F..

Shfuqizimin e vendimit n.138 datë 22/11/2024 dhe vendimit n.146 datë 27/11/2024 të Gjyqtarit që shqyrton kërkesat e palëve gjatë hetimeve paraprake në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për të hetuarin apelues z.E.Q..

Rreth dy muaj më parë SPAK goditi organizatën kriminale të Suel Çelës, 21 masa sigurimi për persona të përfshirë në krimin e organizuar, ish-zyrtarë të drejtësisë, policisë, si dhe 2 gazetarë. Prokuroria e Posaçme tha se arriti të zbulonte dy raste të trafikut të kokainës nga Amerika Latine, drejt vendeve të Bashkimit Europian. Sipas SPAK me paratë e fituara nga trafiku, banda e Çelës ka financuar ndër vite eliminimin e kundërshtarëve në qytetin e Elbasanit. Për realizimin e qëllimeve të veta kundër kundërshtarëve të tyre, apo edhe për të krijuar mbrojtje për vete, organizata kishte arritur të korruptonte funksionarë të drejtësisë, policisë dhe medias. Organizata kriminale, nga hetimet e përbashkëta të kryera mes SPAK, Belgjikës, Francës dhe Ekuadorit, tregoi se paratë përdoreshin për financimin e blerjes së kokainës, silleshin kesh në Shqipëri dhe investoheshin në biznese në dukje të rregullta.

elton qyno

Sondazh

Poll