Aktualitet

Gjendja kritike e kryepeshkopit Anastas Janullatos/ Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë: Lutemi që Zoti t’i dhurojë shëndet dhe forcë për të vazhduar misionin për paqen!

Kryepeshkopi më 10 janar iu nënshtrua një operacioni në sistemin gastrointestinal. Ai ka pasur gjakderdhje gastrike, të cilën mjekët u përpoqën ta trajtojnë.

12 Janar 2025, 10:44 Nga N.F
Gjendja kritike e kryepeshkopit Anastas Janullatos/ Këshilli Ndërfetar
Foto ilustruese

TIRANË- Bordi i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë përmes një postimi në "X" ka bërë me dije se po ndjek me vëmendje dhe shqetësim ecurinë shëndetësore të Kryepeshkopit Anastas Janullatos i cili prej disa ditësh po përballet me një gjendje të rënduar të shëndetit të tij.

Anëtarët e Bordit po luten me besim dhe përulësi, që Zoti t’i dhurojë kryepeshkopit shëndet të plotë dhe forcë për të vazhduar misionin e tij për paqen, harmoninë dhe dialogun ndërfetar. Ata theksojnë se kontributi dhe inspirimi i tij për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin ndërfetar janë një mësim dhe udhërrëfyes për të gjithë.

Kryepeshkopi më 10 janar iu nënshtrua një operacioni në sistemin gastrointestinal. Kryepeshkopi ka pasur gjakderdhje gastrike, të cilën mjekët u përpoqën ta trajtojnë. 96-vjeçari kishte shfaqur një përkeqësim të shpejtë të shëndetit të tij dhe orët e fundit ishte intubuar dhe transferuar në Repartin e Kujdesit Intensiv. 

Kryepeshkopi ndodhet në spitalin grek që prej të premtes së 3 janarit ku u transferua në Athinë nga Tirana me një avion të Forcave Ajrore. Prej datës 30 dhjetor ai ishte i shtruar në një klinikë në Tiranë, ndërsa diagnoza fillestare ishte një virus sezonal.

Megjithatë, duke pasur parasysh shëndetin dhe moshën e tij, virusi u shndërrua në një infeksion dhe ai gjithashtu pati hemorragji. Më pas, u pa e nevojshme transferimi i tij në Athinë, ku ka qenë i shtruar gjatë periudhës së Covid-it dhe mjekët e Evangjelismos, të drejtuar nga profesoresha Anastasia Kotanidou, e dinë shumë mirë historinë e tij mjekësore.

Njoftimi i plotë:

Lutje për Kryepeshkopin Anastas!

Bordi i Presidencës së Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë, po ndjek me vëmendje dhe shqetësim ecurinë shëndetësore të Kryepeshkopit Anastas, i cili prej disa ditësh po përballet me një gjendje të rënduar të shëndetit të tij.

Ne, anëtarët e Bordit të Presidencës, Kryetari i KNFSH-së Mons. Gjergj Meta, anëtarët e Bordit të Presidencës, H. Bujar Spahiu (Kryetar i KNFSH-së 2023), H. Dede Edmond Brahimaj (Kryetar i KNFSH-së 2021) dhe Pastor Ergest Biti, me nderim dhe lutje të thella, i drejtohemi Zotit për shërimin e shpejtë të Kryepiskopit Anastas, bashkëthemelues i KNFSH-së në vitin 2007, Kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë në vitet 2018-2019 dhe 2024 dhe aktualisht anëtar i Bordit të Presidencës.

Ne lutemi me besim dhe përulësi, që Zoti t’i dhurojë atij shëndet të plotë dhe forcë për të vazhduar misionin e tij për paqen, harmoninë dhe dialogun ndërfetar. Kontributi dhe inspirimi i tij për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin ndërfetar janë një mësim dhe udhërrëfyes për të gjithë ne.

O Zot, ne të lutemi që ta mbështesësh me çdo bekim dhe t’i dhurosh atij shumë vite të tjera shërbimi të bekuar, plot paqe dhe forcë shpirtërore, duke udhëhequr kështu një shembull të paqes dhe unitetit në shoqërinë tonë. Amin!

Me respekt,

Bordi i Presidencës

anastas janullatos

Sondazh

Poll