Aktualitet

Zgjedhjet e 11 majit/ Sot nis regjistrimi për votën e diasporës, hapat që duhen ndjekur nga shqiptarët jashtë vendit

Në momentin që krijon llogarinë në platformën PER, votuesi duhet të dërgojë një kërkesë po në këtë sistem, ku i duhet një dokument identifikimi shqiptar.

11 Janar 2025, 08:03 Nga r.ll
Zgjedhjet e 11 majit/ Sot nis regjistrimi për votën e diasporës,
foto ilustruese

TIRANË- Diaspora do të ketë peshën e saj në zgjedhjet e 11 majit, pasi për herë të parë emigrantët jashtë kufijve do të kenë mundësi të votojnë pas qenë e nevojshme të vijnë fizikisht në Shqipëri. Ndërkohë ditën e sotme do të nisë procesi i regjistrimit të emigrantëve përmes Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER), proces i cili zgjat deri në 4 mars.

Aplikacioni ku mund të regjistrohesh gjendet në forma të ndryshme, duke nisur nga faqja zyrtare e Komisionit të Zgjedhjeve, por edhe mund të shkarkohet si aplikacion në telefon. Për sa i përket regjistrimit duhet një numër i saktë telefoni adresë e-maili dhe më pas krijohet një pasword që ka 8 karaktere. Për ta aktivizuar regjistrimin, KQZ, përmes email-it apo numrit të telefonit dërgon një kod 6 shifror për ta aktivizuar.

Regjistrimi kërkon një pajisje elektronike, të çfarëdoshme, që mjafton të ketë internet dhe një kamera. Llogaria krijohet vetëm duke treguar zgjedhësi fytyrën e tij përpara kamerës, për të shmangur votimet familjare apo përmes personave të tjerë. Pasi krijon llogarinë, votuesi duhet të dërgojë një kërkesë po në këtë sistem, ku i duhet një dokument identifikimi shqiptar. Në momentin e regjistrimit, pasaporta ose karta pranohen edhe nëse ju ka skaduar afati.

Emigranti, gjatë paraqitjes së kërkesës së tij për regjistrim në listën e zgjedhësve jashtë vendit sipas rregullave të miratuara nga Komisioni Rregullator, zgjedhësi ngarkon në platformën elektronike të regjistrimit të paktën një nga dokumentet e listuara që vërteton qëndrimin e tij jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë:

– Certifikatë pronësie ose dokument ekuivalent në shtetin e rezidencës, që provon pronësinë e banesës;

– Dokument që provon rezidencën në shtetin e huaj i lëshuar nga autoritetet përkatëse;

– Kontratë qiraje ose huapërdorje të banesës;

– Dokumente bankare (kontratë kredie/vërtetim bankar etj.) që përmban adresën e banimit;

– Kontratë furnizimi ose faturë të furnizimit me ujë në banesë;

– Kontratë furnizimi ose faturë të energjisë gaz ose elektrike në banesë;

– Kontratë ose faturë të abonimit të shërbimit digjital të transmetimeve audiovizive;

– Kontratë ose faturë të shërbimit të internetit të telefonisë fikse në banesë;

– Dokument i lëshuar nga organi kompetent i shtetit ku ka vendbanimin i cili vërteton qëndrimin e zgjedhësve në një institucion shëndetësor, kamp emigracioni apo tjetër të ngjashëm;

– Dokument pronësie ose ekuivalent i lëshuar në shtetin e rezidencës që provon pronësinë e banesës;

– Leje drejtimi automjeti (patentë) në rastet kur shënohet adresa e banimit;

Ose çdo dokument tjetër të lëshuar në shtetin e huaj që provon qëndrimin e shtetasit shqiptar në adresën e deklaruar jashtë vendit.

Numri i shtetasve shqiptarë të regjistruar në të njëjtën adresë që aplikojnë në platformën elektronike të regjistrimit nuk mund të jetë më shumë se 6 persona. Përjashtim nga ky rregull do të bëhet vetëm për arsye të përligjura dhe pas paraqitjes së dokumentacionit ligjor (PER) do të lejojë regjistrimin e më shumë shtetasve shqiptarë.

Brenda 5 ditësh, KQZ do ta informojë emigrantin, nëse kërkesa e tij u pranua ose u refuzua. Në rast refuzimi, zgjedhësi do të informohet se çfarë ka bërë gabim, dhe do t’i jepet mundësia të aplikojë përsëri. Procesi i regjistrimit quhet i suksesshëm kur zgjedhësi paraqet të dhëna të plota dhe kërkesa miratohet.

vota e diaspores regjistrimi i emigranteve

Sondazh

Poll