Bota

Pas dy vitesh të bllokuara, Irani heq kufizimet për aplikacionet WhatsApp dhe Google Play

Irani bllokoi përdorimin e tyre pas protestave që filluan në vitin 2022 për vdekjen në paraburgim të Mahsa Amini, vajzës që ishte arrestuar për shkelje të kodit të rreptë të veshjes së Republikës Islamike.

24 Dhjetor 2024, 21:12 Nga r.ll
Pas dy vitesh të bllokuara, Irani heq kufizimet për aplikacionet
foto ilustruese

IRAN- Këshilli i Lartë Kibernetik i Iranit, organi rregullator i internetit dhe kibernetikës i Republikës Islamike, votoi sot për heqjen e një ndalimi dy-vjeçar mbi aplikacionin e mesazheve WhatsApp dhe Google Play.

Irani bllokoi përdorimin e tyre pas protestave që filluan në vitin 2022 për vdekjen në paraburgim të Mahsa Amini, vajzës që ishte arrestuar për shkelje të kodit të rreptë të veshjes së Republikës Islamike.

Këto aplikacione u përdorën më shumë pasi Youtube, Facebook, Telegram, Twitter dhe Tiktok u ndaluan. Ndalimet kanë ndezur polemika në Iran, me kritikët që argumentojnë se ato janë të kushtueshme për vendin.

"Kufizimet në "X" nuk kanë sjellë asgjë përveç zemërimit dhe kostove shtesë për qytetarët," tha sot këshilltari presidencial Ali Rabiei. 

Presidenti Massoud Pezeskian, i cili mori detyrën në korrik, u zotua gjatë fushatës së tij për të hequr kufizimet në përdorimin e internetit që kanë qenë në fuqi prej vitesh. Në mars, një ministër iranian njoftoi se qeveria do të lejojë platformat ndërkombëtare të punojnë në vend nëse ata pranojnë të hapin zyra që i përfaqësojnë ato atje.

Meta, gjiganti amerikan që zotëron Facebook, Instagram dhe WhatsApp, u përgjigj se nuk ka ndërmend të vendoset në Iran, një vend që i nënshtrohet një regjimi të sanksioneve të ashpra nga Shtetet e Bashkuara. Përballë kufizimeve të internetit, shumë iranianë kanë filluar të përdorin rrjete private virtuale (VPN) për të anashkaluar kufizimet.

Platforma të tjera të njohura si Facebook, X dhe YouTube kanë mbetur të bllokuara që nga viti 2009 dhe aplikacioni i mesazheve Telegram u ndalua me një vendim gjykate në prill 2018. Në një përpjekje për të zëvendësuar platformat e huaja, Irani ka zhvilluar ndër vite aplikacionet e veta.

iran whats app

Sondazh

Poll