Aktualitet

"Prindërit e autorit duhet të reagonin", mamaja e Martin Canit në protestë: Ministrja nuk më ngushëlloi për humbjen e djalit

Florina Cani tha se nuk kishte marrë asnjë telefonatë ngushëllimi nga mësuesit e shkollës dhe se askush nuk ka treguar një shenjë përgjegjësie për ngjarjen.

18 Dhjetor 2024, 14:35 Nga r.ll
"Prindërit e autorit duhet të reagonin", mamaja e Martin
prinderit e martin canit

TIRANË- Mamaja e Martin Canit ka folur mes lotësh në protestën e organizuar për vrasjen e të birit. Florina Cani tha se nuk kishte marrë asnjë telefonatë ngushëllimi nga mësuesit e shkollës dhe se askush nuk ka treguar një shenjë përgjegjësie për ngjarjen. Mamaja e Martinit foli edhe për prindërit e adoleshentit që i mori jetën të birit, duke thënë se ata duhet të kishin reaguar dhe të pranon se ndjenin të njëjtën dhimbje me të, për vdekjen e 14 vjeçarit.

“Martini nuk u vra pasdite apo në orarin kur kishte mbaruar puna. Ndryshe do të ishte përgjegjësia ime. Martini ishte një fëmijë shumë i sjellshëm. Dua drejtësi dhe vetëm drejtësi! Më parë isha mësuese në fshat dhe i ndiqnim fëmijët me sy deri në momentin që iknin nëpër rrugica. Ne nuk na njoftuan kurrë. Nuk më dha askush një sinjal, nëse do ta dija… unë e njoh më shumë fëmijën tim. Kam qenë në gjendje shumë të rëndë. Nuk e dija kush ishte autori, kur mora vesh që ishin bashkëmoshatarë nuk fola asnjë fjalë sepse janë fëmijë. Por prindërit e tij duhet të reagonin duhet të thonin kemi të njejtën dhimbje si ju! Unë e kam në dhe sot fëmijën, nuk më vjen më”, tha ajo. 

Florina Cani hodhi akuza ndaj ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu se nuk i ka ngushëlluar, ndërsa tha se familja e saj po përjeton një vrasje të dyfishtë për faktin që askush nuk mban përgjegjësi.

“Unë isha një nënë si ju, si nuk pate zemër që të më ngushëlloje për Martinin dhe ti qeshe bashkë me tre të tjera që unë nuk i njoh në atë parlament. Turp të të vijë Ogerta, se qeshe për zemrën e Martinit tim që u ther. Turp të të vijë Ogerta Manastirliu. Unë jam një nënë si ti që sot dridhem para jush. Nuk erdhe me më thënë dhe ngushëllime familjes. Ka 30 ditë që nuk e shoh më Martinin, ka 30 ditë që qaj në shtratin e Martinit, ka 30 ditë që vëllai i vet nuk e shikon Martinin. Mos lejoni askënd që të mësojë si Martini, askënd që të mësojë si fëmija im sepse jemi të pambrojtur në çdo cep të Shqipërisë. E çova në shkollë, nuk e çova as në luftë dhe as me u konfliktuar me shoqet dhe shokët e tij. E kam rritur me djersë atë fëmijë. Kam punuar në arsim 12 vite dhe jam dorëhequr vetëm për ta kulturuar fëmijën tim. Këtu qenka e pamundur. Unë nuk kam punuar, kam punuar 4 orë vetëm ti plotësoj disa kushte familjare, jo që të mos kujdesem për fëmijën tim. Jam një nënë me shumë ndërgjegje dhe nuk kam punuar me orë të tëra që mos ta shikoj çfarë po bën. Bëja biseda pafund me Martinin dhe çdo ditë që ikte i thosha kujdes biri im, se ka shumë njerëz që nuk ua ke besën. Jo o ma thoshte mos ki frikë. Ju lutem zbardhni ngjarjen përse ndodhi kjo. Fëmija im nuk ishte agresiv, e kam rritur me shumë dashuri atë fëmijë. Kishte ëndërr të bëhej futbollist i madh. Ia morën të dyja, ia morën ëndrrat djalit tim, ku do ta gjej unë drejtësinë këtu? Më thoni ju, ku do ta gjej? Pse nuk dalin? Pse nuk thonë një fjalë? Ka 30 ditë që qaj, rënkoj, kërkoj, por nuk ka, nuk di çfarë të bëj. Vetëm dorëheqje kërkoj të na qetësohet pak shpirti sepse nuk po gjej qetësi. Po na vrasin përditë edhe më shumë. Unë tani kam një vrasje të dyfishtë. Ogerta kam një vrasje të dyfishtë. Drejtoresha e shkollës, kam një vrasje të dyfishtë. Kjo është e papranueshme. Unë jam një nënë, por ama ju nuk jeni nëna sepse nuk paskeni gjak sepse morët gjakun e fëmijës tim”, tha Cani.

florina cani prinderit e martin canit

Sondazh

Poll