Aktualitet

Do shqyrtojnë rastin e Holta Zaçajt, mbledhja e gjyqtarëve kushtetues shtyhet për javën tjetër

Mësohet se shtyrja ka ardhur për shkak të nevojës që gjyqtarët të kenë në dispozicion një dokumentacion të plotë lidhur me problematikën që është paraqitur në këtë çështje.

13 Dhjetor 2024, 12:38 Nga N.F
Do shqyrtojnë rastin e Holta Zaçajt, mbledhja e gjyqtarëve
Foto ilustruese

TIRANË- Mbledhja e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese që do të shqyrtonte çështjen e kryetares, Holta Zaçaj është shtyrë për në fillim të javës së ardhshme. Mësohet se shtyrja ka ardhur për shkak të nevojës që gjyqtarët të kenë në dispozicion një dokumentacion të plotë lidhur me problematikën që është paraqitur në këtë çështje.

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese pritet të shqyrtojnë të gjithë materialet dhe rrethanat që lidhen me rastin e Zaçajt për të marrë një vendim  përfundimtar. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj ditën e djeshme thirri mbledhjen e Gjyqtarëve ndërsa deklaroi mbarimin e mandatit. Zaçaj nisur nga sulmet e paprecedente në media drejt saj si Kryetare e Gjykatës Kushtetuese dha dhje një njoftim për shtyp për të sqaruar opinionin publik në lidhje me afatin e qëndrimit të saj në detyrë.

Ajo u shpreh se Gjykata Kushtetuese ka deklaruar mbarimin e mandatit të gjyqtares Vitore Tusha, çka ka përbërë bazën ligjore për organin e emërtesës për të shpallur procedurat e kandidimit për zgjedhjen e gjyqtarit pasues. Zaçaj ka thënë se nuk është zgjedhur brenda mandatit të Vitore Tushës. Sipas saj Tusha e ka kryer mandatin e saj 9-vjeçar dhe sipas Kushtetutës, mandati i saj mbaron më 2025.

Zaçaj shtoi se Gjykata Kushtetuese duhet të jetë e lirë nga presioni politik dhe mediatik që funksioni i saj si mbrojtës i parimeve kushtetuese të jetë i fortë dhe i besueshëm. Ajo thekosi se siguria e mandatit kushtetues është thelbësore për vetë demokracinë. Sipas saj pa një organ të pavarur siç është Gjykata Kushtetuese, e cila kontrollon legjitimitetin e ligjeve dhe të akteve të shtetit, ekziston rreziku i cenimit të balancimit të pushteteve.

holta zaçaj gjykata kushtetuese

Sondazh

Poll