Politike

34-vjetori i themelimit të Partisë Demokratike, Meta mesazh urimi nga qelia: PD, forca që solli pluralizimin politik dhe demokracinë në vend

Meta është shprehur se kjo ditëlindje e gjen PD-në më të fortë, bashkuar dhe më të motivuar për mbrojtjen e lirisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

12 Dhjetor 2024, 10:46 Nga ZH.LL
34-vjetori i themelimit të Partisë Demokratike, Meta mesazh urimi nga
Berisha-Meta

TIRANË- Presidenti i PL-së, Ilir Meta ka uruar nga burgu 34-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike. Përmes një postimi në "Facebook", Meta i shpreh urimet e përzemërta kryedemokratit Sali Berisha. 

Meta është shprehur se kjo ditëlindje e gjen PD-në më të fortë, bashkuar dhe më të motivuar për mbrojtjen e lirisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Ai ka përcjellë një urim të ngrohtë për liderin e saj historik, Sali Berisha, për themeluesit, drejtuesit, anëtarët dhe simpatizantët e PD.

Ndër të tjera, Meta shprehu mirënjohje për të gjithë rithemeluesit e 11 dhjetorit të cilët nuk i braktisën vlerat e mbi të cilat u themelua Partia Demokratike. Në fund, kreu i PL-së u shpreh i bindur viti që po vjen do të jetë viti i ndryshimit historik dhe i rivendosjes së plotë dhe të pakthyeshme të pluralizmit politik në vend.

Postimi i plotë i Ilir Metës:

Urimet më të përzemërta Partisë Demokratike, forcës së parë që solli pluralizimin politik dhe demokracinë në vend, me rastin e 34-vjetorit të themelimit dhe shumë suksese të reja në përmbushjen e përgjegjësive tepër të rëndësishme për të ardhmen e vendit.
Kjo ditëlindje e gjen Partinë Demokratike më të fortë, më të bashkuar dhe më të motivuar në mbrojtje të vlerave të lirisë, demokracisë, interesave kombëtare dhe shtetit të së drejtës përballë përpjekjeve kriminale të Narkoshtetit dhe MgGonigalëve për ta asgjësuar atë dhe pluralizmin politik.
Një urim të ngrohtë për liderin e saj historik, Prof. Dr. Sali Berisha, për themeluesit, drejtuesit, anëtarët dhe simpatizantët e PD.
Mirënjohje edhe për të gjithë rithemeluesit e 11 Dhjetorit, të cilët me shumë dinjitet dhe vendosmëri nuk i braktisën vlerat mbi të cilat u themelua Partia Demokratike 34 vite më parë, por refuzuan me përbuzje edhe kërcënimet “për të ngrënë bar” duke dëshmuar se nuk janë bagëti, por janë shqiptarë me dinjitet në themel të të cilëve qëndron liria, sovraniteti dhe atdhedashuria.
Jam i bindur se viti që po vjen do të jetë viti i një ndryshimi historik dhe i rivendosjes së plotë dhe të pakthyeshme të pluralizmit politik në vend.

ilir meta pd sali berisha

Sondazh

Poll