Politike

"Beteja jonë është shpëtimi i Shqipërisë", Berisha: Rikthimi i PD-së në pushtet herën e tretë do të bëjë të harohet hera e dytë

Berisha u shpreh se zotimi i tyere para shqiptarëve është "zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit". 

11 Dhjetor 2024, 21:18 Nga r.ll
"Beteja jonë është shpëtimi i
sali berisha

TIRANË- Lideri i opozitës Sali Berisha deklaroi sonte se rikthimi i PD-së për herën e tretë do të jetë më e mira dhe se do të bëjë të harrohet hera e dytë. Berisha tha se Shqipëria pa opozitë do të ishte projekti "që do të varroste përfundimisht kombin shqiptar". 

Më tej shprehet se beteja aktuale e PD është ajo e shpëtimit të Shqipërisë, ku tha se me ardhjen e tyre në pushtet do të vendoset minimumi jetik 200 euro, paga minimale 500 euro dhe ajo mesatare 1200 euro. Berisha u shpreh se zotimi i tyere para shqiptarëve është "zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit". 

PJESË NGA FJALA E BERISHËS: 

Miqtë e mi, kurrë nuk duhet të harrojmë katastrofën që parandaluam me qëndresën tonë. Shqipëria pa opozitë do ishte një dimër i pafund. Do ishte projekti që do varroste përfundimisht kombin shqiptar. Sepse kur narkoshteti i Edi Ramës dëboi gjysmën e shqiptarëve vetëm në 10 vite, imagjinoni se çfarë do ndodhte dekadat e ardhshme kur Edi Rama priste të sundonte pa opozitë.

Por tani kjo ëndërr e Edi Ramës, ky projekt i Xhorxh Sorosit ka vdekur dhe ne duhet ta kallim atë. Dhe siç thotë ajo shprehja e mençur e shqiptarëve, kur hap gropën e tjetër, do biesh vetë. Fatin që përgatiti për ne, do e ketë rilindja e Edi Ramës, narkoqeveria e tij. Vetë Edi Rama po e shkërmoq atë organizatë. E vetmja gjë që mban rilindjen sot është vetëm pushteti. Pushteti i bazuar në lidhjet me krimin, drogën, vjedhjen e shqiptarëve.

Ditën që nuk do ketë më pushtet, shqiptarët do shohin gjendjen e vërtetë të saj. Dhe këtu qëndron ndryshimi fundamental mes nesh dhe atyre. Ne nuk jemi njëlloj sepse ne jemi një parti që ka fuqinë për të rikrijuar veten e saj. Jemi një parti që kemi drejtuar dy herë Shqipërinë. Herën e parë, kemi pasur gabimet tona, por kemi shënuar arritje epokale dhe askush sot nuk mund të mohojë se qeverisja e viteve 2005-2013 ka qenë më e suksesshmja që ka njohur Shqipëria. Dhe së fundmi ne kemi vetinë, aftësinë për t’u ringritur pasi rrëzohemi. Sepse ne kemi të parin interesin kombëtar dhe kurrë nuk e harrojmë këtë.

Prandaj dhe njësoj si hera e dytë ishte më e suksesshmja, hera e tretë do bëjmë të harrojmë herën e dytë. Do jetë më e mira. Rikthimi i PD-së në pushtet herën e tretë do jetë fati i bardhë i vërtetë i shqiptarëve. Dhe me këtë duhet thënë se gjendemi në pikën kyçe të betejës sonë. Ditët tona të këqija janë tashmë e shkuara. Beteja jonë për shpëtimin e opozitës u krye, e fituam atë betejë. Tani jemi në betejën për shpëtimin e Shqipërisë.

Para së gjithash për shpëtimin e qytetarëve shqiptarë nga dhimbjet e skamjet dhe mjerimit, për vendosjen me shpejtësi të minimumit jetik 200 euro, për pagën minimale 500 euro, për pagën mesatare 1200 euro, për dyfishimin e rrogave dhe pensioneve, për proporcionimin e çmimeve të energjisë dhe ujit, në proporcion me rrogat dhe pensionet që marrin. Për shërbimet publike më cilësore që kanë njohur shqiptarët, për arsimin dhe shëndetësinë. Për shpejtimin e integrimit të Shqipërisë në Europë. Zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit është zotimi ynë para shqiptarëve.

sali berisha

Sondazh

Poll