Politike

Grubi pranoi ryshfet për të minuar proceset gjyqësore të Sasho Mijalkov/ Kush është ish-drejtori i shërbimit sekret, i shpallur "non grata" nga SHBA-ja që nga viti 2022

Ndërkohë edhe Mijalkovi rezulton të jetë në listën e zezë të SHBA-së që nga viti 2022. Mijalkovi u dënua në korrik të vitit 2022 me tri vjet burg në rastin e njohur si “Perandoria”, për akuzat për bashkim kriminal, përvetësim dhe fshehje të paligjshme të pasurisë, apo pastrim të parave, përkatësisht të mbi 8 milionë eurove, përmes kompanive “offshore” (kompani jashtë vendit).

9 Dhjetor 2024, 22:56 Nga N.F
Grubi pranoi ryshfet për të minuar proceset gjyqësore të
Sasho Mijalkov

MAQEDONI E VERIUT- Ish-zëvendëskryeministri në RMV, Artan Grubi është shpallur ditën e sotme "non grata" nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Grubi dhe gjyqtari Enver Bexheti janë përfshirë në korrupsion ndërsa mësohet se kanë pranuar ryshfet për të minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijalkov, drejtor i Administratës për Siguri të Maqedonisë së Veriut dhe Kundërzbulimi.

Ndërkohë edhe Mijalkovi rezulton të jetë në listën e zezë të SHBA-së që nga viti 2022. Mijalkovi u dënua në korrik të vitit 2022 me tri vjet burg në rastin e njohur si “Perandoria”, për akuzat për bashkim kriminal, përvetësim dhe fshehje të paligjshme të pasurisë, apo pastrim të parave, përkatësisht të mbi 8 milionë eurove, përmes kompanive “offshore” (kompani jashtë vendit).

Përveç në rastin “Perandoria”, ai u dënua edhe për më shumë vepra tjera të rënda penale. Gjykata Penale e Shkupit më 26 shkurt 2021 e dënoi me 12 vjet burgim për veprën penale “bashkim kriminal”, “përgjime të paligjshme” dhe “shkatërrim të pajisjeve për përgjim”. Ai u dënua me tri vjet burg për përvetësim të paligjshëm të parcelave në malin turistik “Vodno” në Shkup, ndërsa më 8 mars 2019 me dy vjet për keqpërdorime zgjedhore.

Por, disa vendime të shkallës së parë janë anuluar nga Gjykata e Apelit dhe janë kthyer në rigjykim, ndërsa për dy vepra tjera ai mund të lirohet nga vuajtja e dënimit për shkak të mundësisë së vjetërsimit të lëndëve. Rasti i Sasho Mijallkovit ka bërë që gjyqësori në Maqedoninë e Veriut në vazhdimësi të jetë në shënjestër të kritikave nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Ish-shefi i Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit, Sasho Mijalkov u largua nga burgu i Strugës në maji të këtij viti ku po vuante dënimin për rastin “Perandoria”. Ai u lirua nga burgu me kusht që të mos kryejë krim deri më 25 prill 2025.

Mijalkov e pranoi fajësinë për rastin “Perandoria” në marrëveshje me Prokurorinë Publike dhe u dënua me tre vjet burg dhe konfiskim të pasurisë, siç pretendonte fillimisht kryetarja e PNKOK, Vilma Ruskovska, prej 30 milionë eurosh. Më vonë, pasuria e tij u vlerësua pothuajse në dyfishin e kësaj shume. Ai akuzohej për veprat e bashkimit kriminal dhe marrjes dhe fshehjes së paligjshme të pasurisë.

Ai e ka vuajtur dënimin me burg në vend të “Idrizovës” në burgun e Strugës, i cili është i tipit të hapur, pasi pak para vuajtjes së dënimit ka ndërruar adresën nga Shkupi në Ohër. Ky është dënimi i vetëm me burg për Mijallkovin. Për çështjen “Tortura” dhe Thesari” ai ishte liruar nga akuzat, për rastin “Parcelat në Vodno” mori dënim me kusht, ndërsa rasti “Target” dhe “Kalaja 2” ishin vjetruar në bazë të ndryshimeve në Kodin Penal.

sasho mijalkov artan grubi

Sondazh

Poll