Aktualitet

Dosja 5D/ Të akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre, Gjykata e Lartë lë në burg dy ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë

Qato dhe Molla akuzohen për “shkelje të barazisë së pjesëmarrjes në tenderë” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

4 Dhjetor 2024, 17:13 Nga ZH.LL
Dosja 5D/ Të akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre,
ish-drejtoret

TIRANË- Gjykata e Lartë ka lënë ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato dhe Redi Molla. Sipas vendimit, dy ish-drejtorët do të vijojnë qëndrimin në qelinë e paraburgimit.

Qato dhe Molla akuzohen për “shkelje të barazisë së pjesëmarrjes në tenderë” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e të dyve për vendimin e dhënë nga Apeli në datë 31 korrik të këtij viti. Apeli i Posaçëm në muajin korrik la në fuqi vendimin e shkallës së parë, për masën “arrest në burg” ndaj Mollës dhe Qatos. 

Pak javë më parë, trupa gjykuese e përbërë nga Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici vendosën dërgimin e çështjes për rishqyrtim po në këtë gjykatë, por me tjetër trupë gjykuese dhe vendimi mbeti po i njëjtë.

Redi Molla dhe Mariglen Qato prej muajit mars janë në qelinë e paraburgimit së bashku me Taulant Tushen, Julian Zanajn dhe Eglantina Zeren. Hetimi për këtë çështje nisi në vitin 2023, për disa vepra penale si “Shpërdorim detyre” dhe “shkelje e barazisë në tendera”, korrupsion dhe refuzim për deklarim të pasurisë.

Sipas prokurorisë së Posaçme, Qato dhe Molla janë pronarë të vërtetë të kompanisë “5D”, e cila sipas hetimeve, ka rezultuar fituese në disa tendera të organizuara nga bashkia e Tiranës. Bëhet fjalë për 11 procedura tenderimi në harkun kohor të gjashtë viteve, nga 2016 deri në vitin 2022.

Redian Molla gjatë kohës që ka qenë Drejtor i Përgjithshëm të shoqërisë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, në 2016-2020, 5D Konstruksion” sh.p.k, ka marrë pjesë dhe është shpallur fituese në shkelje të rregullave të prokurimit publik në shtatë tendera, të realizuara nga kjo ndërmarrje.

Ndërsa në 2016-2018, Mariglen Qato, ortaku tjetër i 5D, ka ushtruar funksionin e Drejtorit të Departamentit Mbështetës në shoqërinë “Ujësjellës Kanalizime Tiranë” sh.a, subjekti tregtar i mësipërm ka marrë pjesë dhe ka fituar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik në 4 tendera.

Në Korrik, SPAK vuri në sekuestro disa pasuri të paluajtshme të Qatos dhe Mollës dhe familjarëve të tyre. Nën sekuestro u vendos dhe shoqëria tregtare “5D Konstruksion” që dyshohet se është krijuar nga përfitimet e tenderave abuzive, “Restur shpk”, si dhe 24% e kuotave të shoqërisë tregtare “Mediterranean Investment Group”.

 

 

gjykata e larte mariglen qato redi molla

Sondazh

Poll