Politike

"Na intereson që të jenë forcë aktive pune" /PS refuzoi amendamentin e opozitës për minimumin jetik, Koçiu: S’duam të prodhojmë ciklin e varfërisë

Koçiu u shpreh se amendamenti u rrëzua pasi qeverisë i intereson që këta njerëz të integrohen në tregun e punës dhe të jenë forcë aktive.

4 Dhjetor 2024, 16:02 Nga E. D

"Na intereson që të jenë forcë aktive pune"

TIRANË- Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, duke folur në deklaratë për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave është pyetur nga gazetarët lidhur me rrëzimin nga mazhoranca të amendamentit të opozitës për caktimin e minimumit jetik me 200 euro. Koçiu u shpreh se amendamenti u rrëzua pasi qeverisë i intereson që këta njerëz të integrohen në tregun e punës dhe të jenë forcë aktive.

Gjithashtu ajo tha se nëse shtresave të varfra dhe në nevojë do u ofrohet mbështetje, atëherë do të jenë duke prodhuar ciklin e varfërisë. Më tej Koçiu tha se duhet të matet metodologjia për vlerësimin e minimumit jetik dhe familjeve që kanë nevojë.

"Sot jemi duke mbështetur faktin që te gjithë ata persona që janë të varfër dhe kanë nevoje për punësim, duket të aftësohet për t’u integruar në tregun e punës. Ne na intereson që njerëzit që janë force aktive pune të integrohen dhe të thyejmë ciklin e varfërisë. Nëse në do të vazhdojmë mbështetjen apriori për një familje që është e varfër apo nuk përballon dot kushtet minimale, ne jemi thjeshtë duke prodhuar ciklin e varfërisë. Politikat tona sociale janë të bazuara në fuqizimin e shoqërisë. E rrëzuam amendamentin të kërkuar nga opozita pasi në gjykimin tonë nuk është i vlerësuar ashtu siç duhet, pasi duhet të kemi një dakortësi të përbashkët për metodologjinë, pra për mënyrën se si matet minimumi jetik dhe më pas të vlerësojmë se kush është minimumi jetik dhe familjet që kanë nevojë”, tha Koçiu.

albana koçiu

Sondazh

Poll