Politike

Takimi i Ramës me prindërit në Fier, Bardhi: Dështoi në përgjegjësitë që kishte për arsimin dhe shkollat, tani thotë se fajin e kanë telefonat

Bardhi shkruan në postimin e tij se Rama si kryeministër dhe qeveria e tij janë përgjegjës duke nisur nga cilësinë e arsimit deri te siguria në shkolla.

30 Nëntor 2024, 14:07 Nga r.ll
Takimi i Ramës me prindërit në Fier, Bardhi: Dështoi në
gazment bardhi

TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar pas takimit që ka zhvilluar kryeministri Edi Rama me prindërit në një shkollë në Fier për kufizimet e platformave sociale.

Bardhi shkruan në postimin e tij se Rama si kryeministër dhe qeveria e tij janë përgjegjës duke nisur nga cilësinë e arsimit deri te siguria në shkolla. Ai tha se kryeministri ka dështuar në këto përgjegjësi dhe tani po mundohet tja lërë fajin telefonave dhe prindërve. 

Kreu i grupit të PD-së, thotë se Rama është i vetmi përgjegjës që në 12 vite i ofroj fëmijëve dhe të rinjve modelin "e trafikantit dhe vrasësit si deputet, modelin e gangsterit e kriminelit si kryetar bashkie, apo modelin e hajdutit si ministër."

POSTIMI I PLOTË: 

Edi Rama nuk është as menaxher dhe as përgjegjës për Tik-Tok dhe rrjetet sociale! Pretendon se është Kryeministër, por sillet si psikolog, sepse i kanë shteruar idetë dhe pas ngjarjes së rëndë në Shkollën “Fan Noli” nuk i shërben dot as propaganda bajate.

Si Kryeministër, Edi Rama dhe qeveria e tij janë përgjegjës për cilësinë e arsimit, janë përgjegjës për përmbushjen nga shkolla të rolit edukativ mbi fëmijët, janë përgjegjës për bashkëveprimin mes shkollës dhe familjes në mirërritjen e fëmijëve, janë përgjegjës për përgjegjshmërinë e mësuesve, janë përgjegjës për sigurinë në shkolla. Qartësisht ka dështuar në të gjitha përgjegjësitë e mësipërme. Prandaj flet për gjithçka, përveç përgjegjësive të tij!

Duke qenë i paaftë për të ushtruar përgjegjësitë e tij, duke qenë i paaftë të justifikojë pse ka degraduar arsimi gjatë 12 viteve të qeverisjes së tij, Edi Rama me nje strategji të dalë boje, ka zgjedhur t’u thotë shqiptarëve se fajin e kanë rrjetet sociale, fajin e kanë telefonat, fajin e kanë prindërit, faji është jetim.

E vërteta është se degradimi i arsimit është përgjegjësi e keqqeverisjes së Edi Ramës. Faji është vetëm i tij dhe qeverisë së tij. Justifikimet pa sens dhe faji pa adresë tregojnë vetëm faktin se Edi Rama është dorëzuar, dhe familjet shqiptare janë lënë vetëm nga qeveria në betejën e vështirë të mirërritjes së fëmijëve.

Në vend të kontributit në këtë drejtim, Edi Rama është i vetmi përgjegjës që në 12 vite i ofrojë fëmijëve dhe të rinjve modelin e trafikantit dhe vrasësit si deputet, modelin e gangsterit e kriminelit si kryetar bashkie, apo modelin e hajdutit si ministër. Edi Rama është përgjegjës që në 12 vite i ofrojë fëmijëve dhe të rinjve modelin e pasurimit të shpejtë përmes përfshirjes në krim të organizuar, dhe respektit jo ndaj intelektualit por ndaj kriminelit, pasurimit jo përmes dijes por përmes krimit. Koha për të larguar përgjegjësin dhe për të rikthyer shpresën për një arsim më cilësor dhe për shkollat si faktorin kyç bashkë me familjen në edukimin dhe mirërritjen e fëmijëve.

gazment bardhi edi rama

Sondazh

Poll