Aktualitet

Futi në SPAK dy prokurorët e ‘djegur’/ KLP: Kemi përzgjedhur më të mirët, kaluan testimet

27 Dhjetor 2019, 08:28 Nga DOSJA
Futi në SPAK dy prokurorët e ‘djegur’/ KLP: Kemi

TIRANE- Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar për përzgjedhjen e Prokurorëve të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK-ut) pas akuzave të ardhura nga Partia Demoratike dhe  reagimeve publike. Ky reagim vjen pikërisht sot, pasi ditën e djeshme Këshilli i Lartë i Prokurorisë futi në Prokurorinë e Posaçme Anti-Korrupsion, dy prokurorët e “djegur” të Dosjes 339/1, dhe dosjes “Tahiri”, Vladimir Marën dhe Dritan Prençin.

Në reagimin e KLP-së, thuhet ky institucion ka bërë më të mirën për të garantuar suksesin thelbësor të SPAK përmes përzgjedhjes të prokurorëve më të mirë. Sipas saj, pjesë e SPAK janë bërë prokurorët më të kontrolluar e të testuar në Shqipëri.

“Të gjithë prokurorët që sot shërbejnë në SPAK, kanë kaluar me sukses verifikimet e sipërpërmendura. Ata janë pa dyshim njerëzit më të kontrolluar e të testuar në Shqipëri. Madje, kalimi i këtyre testeve ka qenë një parakusht për të marrë pjesë në garën e organizuar nga Këshilli për përzgjedhjen e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Më tej prokuroret e SPAK janë përzgjedhur midis shumë të tjerëve në një proces konkurrues dhe transparent”,  thuhet ndër të tjera në njoftim

Deklarata e plotë e KLP-së
Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka ndjekur reagimet publike që kanë shoqëruar krijimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe zgjedhjen e kreut të saj. Në çdo rast ne priremi t’i konsiderojmë këto reagime si tregues të shqetësimeve të opinionit publik, të cilat meritojnë vëmendjen tonë.

Duam të kujtojmë se procesi i përzgjedhjes së prokurorëve të SPAK zgjati plot 9 muaj. Në përfundim të atij procesi konkurrues e transparent, ne jemi të bindur se kemi bërë më të mirën për të garantuar suksesin thelbësor të SPAK përmes përzgjedhjes të prokurorëve më të mirë.

Nga ana tjetër, në një përpjekje për të krijuar atmosferën e duhur të besimit tek institucioni i ri, ne kemi bërë çmos për ta përfshirë publikun dhe të gjithë faktorët institucionalë në proceset vendimmarrëse të Këshillit për ngritjen e Prokurorisë së Posaçme.

E kuptojmë se e shkuara personale dhe profesionale e prokurorëve të SPAK është e rëndësishme për suksesin e tyre dhe të institucionit. Po ashtu ne e kuptojmë se suksesi i SPAK nuk do të përcaktohet thjesht dhe vetëm nga avantazhet procedurale dhe organizative të tij në krahasim me strukturat pararendëse. Imazhi publik i institucionit të ri dhe besimi që ai duhet të ngjallë tek publiku i gjerë janë gjithashtu thelbësorë.

Pikërisht në funksion të garantimit te këtij besimi, pa të cilin institucionet e drejtësisë nuk mund të funksionojnë, Shqipëria, ndër vite ka miratuar ligje dhe ka ngritur institucione të specializuara të cilat hedhin dritë mbi të kaluarën e prokurorëve të SPAK. E kaluara e tyre është hetuar imtësisht në 4 rrafshe:

(i) Është verifikuar nëse kanë bashkëpunuar me strukturat famëkeqe të ish – sigurimit të shtetit në periudhën 29.11.1944 deri në 02.07.1991;

(ii) Është verifikuar nëse kanë pasur kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar gjatë periudhës së punës si prokurorë;

(iii) Është verifikuar nëse pasuria e tyre është e ligjshme; dhe

(iv) Është verifikuar nëse aftësitë e tyre profesionale janë të përshtatshme për ushtrimin e funksionit të prokurorit.

Të gjithë prokurorët që sot shërbejnë në SPAK, kanë kaluar me sukses verifikimet e sipërpërmendura. Ata janë pa dyshim njerëzit më të kontrolluar e të testuar në Shqipëri. Madje, kalimi i këtyre testeve ka qenë një parakusht për të marrë pjesë në garën e organizuar nga Këshilli për përzgjedhjen e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme. Më tej prokuroret e SPAK janë përzgjedhur midis shumë të tjerëve në një proces konkurrues dhe transparent.

Të gjithë faktorët që parashikon ligji për kontrollin e figurës së prokurorëve janë kontrolluar në detaje. Pretendimet që ngrihen nuk janë ligjore por mendime të cilat në asnjë rast nuk mungojnë në diskursin publik. Ato janë gjithnjë të mirëpritura por nuk janë kurrsesi shkas për ngritjen e dyshimeve mbi legjitimitetin juridik e moral të prokurorëve të SPAK.

Prokurorët e SPAK meritojnë mbështetjen dhe besimin e të gjithëve deri në provë të kundërt.

Dje SPAK u bë dhe 10 anëtarë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë pranoi kërkesën e drejtuesit të SPAK, Arben Krajës për të marrë në SPAK dy prokurorët, Vladimir Marën dhe Dritan Prençin. Burime për Dosja.al bënë me dije se Mara dhe Prençi u kërkuaan nga Kraja për t’u bërë pjesë e SPAK në mënyrë të përkohshme, me pretendimin se njohin dosjet e vjetra. Theksojmë se pjesë e  hetimeve të dosjes 339/1, është edhe ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako.

J.V/Dosja.al

Tirana është boshatisur për ditët e pushimit. Cilën nga ritet e shenjta po ndiqni:

View Results

aktualitet aktualitet dritan prençi krijimi i spak levizjet ne prokurori ngritja e spak reagimi i klp-së vladimir mara dritan prençi krijimi i spak levizjet ne prokurori ngritja e spak reagimi i klp-së vladimir mara

Sondazh

Poll