Bota

Alarmi i "Copernicus": 2024 viti më i nxehtë! Hera e parë që do kalohet kufiri i vendosur nga Marrëveshja e Parisit

Edhe pse të gjitha vendet e botës u zotuan të bëjnë përpjekje për të mbajtur ngrohjen mesatare globale nën 1.5 gradë Celsius në Marrëveshjen e Parisit, ky angazhim duket se po largohet nga realiteti.

7 Nëntor 2024, 08:32 Nga N.F
Alarmi i "Copernicus": 2024 viti më i nxehtë! Hera e
Foto ilustruese

TIRANË- Të dhënat e publikuara nga shërbimi evropian "Copernicus" tregojnë se viti 2024 do të jetë viti më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë dhe do të kalojë kufirin prej 1.5 gradë Celsius të vendosur nga Marrëveshja e Parisit.

Edhe pse të gjitha vendet e botës u zotuan të bëjnë përpjekje për të mbajtur ngrohjen mesatare globale nën 1.5 gradë Celsius në Marrëveshjen e Parisit, ky angazhim duket se po largohet nga realiteti. Shifrat e publikuara tregojnë se viti 2024 është "pothuajse i sigurt" se do ta tejkalojë atë kufi. Muaji i kaluar ishte tetori i dytë më i ngrohtë, sipas Copernicus, dhe ishte 1.65 gradë Celsius më i ngrohtë se nivelet para-industriale kur filloi të regjistrohej ndotja nga mbishfrytëzimi i karburanteve fosile.


Në veçanti, tetori i vitit 2024 ishte tetori i dytë më i ngrohtë globalisht, pas tetorit 2023, dhe muaji i 15-të në një periudhë 16-mujore në të cilën temperatura mesatare globale e ajrit në sipërfaqe tejkaloi 1.5°C. Temperatura mesatare globale gjatë 12 muajve të fundit (nëntor 2023 – tetor 2024) ishte 0,74°C mbi mesataren 1991-2020 dhe rreth 1,62°C mbi mesataren para-industriale 1850-1900.

Prandaj, temperatura mesatare në kontinentin evropian për tetorin 2024 ishte 10.83°C, me temperatura mbi mesataren në pothuajse të gjitha vendet. Jashtë Evropës, temperaturat ishin shumë mbi mesataren në Kanadanë veriore dhe shumë mbi mesataren në Shtetet e Bashkuara qendrore dhe perëndimore, Tibetin verior, Japoninë dhe Australinë. Po kështu temperatura të larta u regjistruan në sipërfaqen e detit.


“Pas 10 muajsh tashmë është pothuajse e sigurt se viti 2024 do të jetë viti më i ngrohtë i regjistruar dhe viti i parë mbi 1.5ºC mbi nivelet para-industriale. Kjo shënon një moment historik të ri në rekordet globale të temperaturës dhe duhet të shërbejë si një katalizator për rritjen e ambicies për Konferencën e ardhshme të Ndryshimeve Klimatike, COP29,” sipas zëvendësdrejtoreshës së Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike të Copernicus (C3S), Samantha Berzis.

ngrohje globale

Sondazh

Poll