Politike

U përjashtuan nga punimet e Kuvendit, Gjykata Administrative shfuqizon vendimin për deputetët e PD-së

Grupi Parlamentar i PD-së ka njoftuar se vendimi u dha me ekzekutim te përkohshëm dhe sipas tyre aplikohet menjëherë.

6 Nëntor 2024, 12:53 Nga r.ll
U përjashtuan nga punimet e Kuvendit, Gjykata Administrative shfuqizon
foto nga kuvendi

TIRANË- Gjykata Administrative e Tiranës ka shfuqizuar vendimin e Sekretariatit të Etikës për përjashtimin e deputetëve të Partisë Demokratike nga punimet e Kuvendit. Grupi Parlamentar i PD-së ka njoftuar se vendimi u dha me ekzekutim te përkohshëm dhe sipas tyre aplikohet menjëherë.

“Gjykata Administrative ka shfuqizuar vendimin e Elisa Spiropalit, e cila në shkelje të Kushtetutes dhe rregullores se kuvendit përjashtoi opozitën nga Kuvendi. Vendimi u dha me ekzekutim te përkohshëm, pra aplikohet menjëherë”, thuhet në reagimin e Grupit të PD-së.

Vendimi i Gjykatës:

U përjashtuan nga punimet e Kuvendit, Gjykata Administrative shfuqizon

Sekretariati i Etikës më 2 tetor vendosi përjashtimin e  24 deputetëve të opozitës nga seancat plenare të Kuvendit, për shkak se dogjën karrige para ndërtesës së institucionit më 30 shtator. Sekretariati vendosi që, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, bashkë me sekretarin e përgjithshëm të kësaj partie, Flamur Noka, dhe deputetin Bledion Nallbati, të përjashtohen për 60 ditë nga seancat plenare secili.

Ndërsa, 20 deputetët Saimir Korreshi, Lefter Geshtenja, Luan Baçi, Dashnor Sula, Agron Gjekmarkaj, Dhurata Çupi, Xhelal Mziu, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, Helidon Bushati, Lindita Metaliaj, Ramadan Lika, Asllan Dogjani, Qani Xhafa, Flamur Hoxha, Isuf Çela, Kastriot Piroli, Lodovik Hasani, Kasem Mahmutaj, Edmond Spaho, u përjashtuan për 40 ditë. Vetëm Edi Paloka u përjashtua për 10 ditë nga seancat parlamentare.

Më 30 shtator, deputetë të Partisë Demokratike nxorën jashtë sallës së Kuvendit karriget e tyre dhe u vunë zjarrin në shenjë proteste ndaj burgosjes së deputetit Ervin Salianji. Ata po ashtu kërkuan një Qeveri teknike, që pas tyre, do ta çonte vendin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Vendimi për përjashtimin e tyre u mor pas kërkesës që bënë një grup deputetësh nga Partia Socialiste në pushtet menjëherë pas seancës së 30 shtatorit, e cila u shoqërua me përplasje dhe tensione brenda Kuvendit jashtë tij.

gjykata administrative perjashtimi i deputeteve te pd

Sondazh

Poll