Politike

"Propaganda, arma më e forta e regjimit", Zhupa: Rama ndërtoi një sistem që nuk i shërben qytetarit

Deputetja demokrate ka komentuar edhe vizitën e sotme të eurodeputetëve, ku kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takim me vetëm me një pjesë të tyre. 

29 Tetor 2024, 22:12 Nga r.ll
"Propaganda, arma më e forta e regjimit", Zhupa: Rama
ina zhupa

TIRANË- Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, njëkohësisht kryetare e Komisionit të Medias dhe Arsimit në Kuvend, ka komentuar mosbindjen civile të ditës së sotme. Zhupa ka folur edhe lidhur me protestën e deputetëve të opozitës para selisë së Parlamentit Evropian, ku tha se në Strasburg ishin jo vetëm për takime por edhe për të ngritur shqetësimin për atë që po ndodh në Shqipëri. 

"Ne patëm dy lloj takimesh këto ditë, sepse është aksioni opozitar dhe ne kemi vendosur që ta kemi në shumë dimensione, në shumë forma dhe faktorin ndërkombëtar e kemi përfshirë në forcën e vet më të madhe.

Në Strasburg ishte hera e parë që deputetët nuk shkonin thjeshtë për takime, por shkonin dhe për një manifestim, për të ngritur shqetësimin edhe në imazh për atë që po ndodh në Shqipëri. Është një mision i opozitës të sensibilizoj dhe për ngjarje konkrete dhe me fakte.", tha Zhupa në emisionin "A Show" në Syri Tv.

Deputetja demokrate ka komentuar edhe vizitën e sotme të eurodeputetëve, ku kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takim me vetëm me një pjesë të tyre. 

"Kryeministri nuk i takoi eurodeputetëve, dhe mesa na thanë, kishte qenë në mëngjes tek hoteli dhe kishte takuar një pjesë të tyre. Zoti Beleri mbajti dhe një fjalë, tha problematikat Shqipërisë, u ndal te reforma në drejtësi, pasi e ka provuar vetë, një sistem që nuk pranonte prova, manipulonte dëshmitarët. Një nga armët më të forta që kanë regjimet është propaganda, dhe është ajo që e mban një regjim të paprekur. Ndryshe, urrejtja popullore kanalizohet në revolta dhe protesta pasi e kupton që dhe i ngjashmi jot ndjen të njëjtën gjë si ti. 

Kemi organizatat e majta dhe organizatat e shoqërisë civile që i mbajnë më fonde. Tashmë, ndërkombëtarët marrin për ekspertizë zonjën Linda Rama, aty kontaminohen dhe raportet ndërkombëtare, që duhet të ishin të paanshme politikisht. Duke krijuar këtë pazëll, ti e ke të vështirë të thuash mesazhin  tënd, të flasësh me qytetarin për një sistem që nuk i shërben qytetarit, siç është sistemi që ka ndërtuar Edi Rama.", u shpreh Zhupa.

Protesta e sotme e cila zgjati tre orë ishte akti i dytë i mosbindjes civile të organizuar nga opozita pas asaj të 7 tetorit. Përveç disa  tensioneve të regjistruara kryesisht në Tiranë dhe Elbasan mes protestuesve dhe forcave të policisë, protesta e opozitës ka shkuar qetësisht, pa incidente. Në të gjashtë pikat strategjike të zgjedhura nga opozita për protestë, u bllokua qarkullimi i automjeteve. Konkretisht protesta bllokoi qarkullimin e makinave në mbikalimin e Kamzës, rrethrrotullimin e Shkozetit, Bradasheshit, Rrogozhinës, Levanit dhe Milotit. 

ina zhupa

Sondazh

Poll