Sport

Gavi, në fushën e blertë pas 335 ditësh!...

Prania e lojtarit të ri, i dëmtuar në njëmbëdhjetë muajt e fundit, do të jetë edhe një injeksion adrenaline për dhomat e zhveshjes, para katër ndeshjeve të rëndësishme për skuadrën.

20 Tetor 2024, 09:00 Nga DOSJA
Gavi, në fushën e blertë pas 335 ditësh!...

SPANJE - Sot do të jetë një ditë shumë e veçantë për Pablo Páez Gaviria, Gavi. Mesfushori 20-vjeçar nga Sevilja do të veshë sërish uniformën sportive për të luajtur një ndeshje gati një vit pas dëmtimit, konkretisht 335 ditë. 

Hansi Flick bëri të ditur në konferencën e tij të djeshme për shtyp, se andaluziani do të jetë në stol sot pasdite në duelin ndaj Sevillas dhe mund të ketë minutat e para. “Rasti i Gavi është shumë i veçantë dhe mund të them se ai do të jetë në stol”, tha trajneri gjerman, i cili e sheh skuadrën e të rinjve, si një opsion të dyfishtë për mesfushën.

“Me Gavi, me mentalitetin e tij dhe mënyrën se si e kanalizon agresionin, ai mund të luajë në të dyja pozicionet e mesfushës,” tha ai, duke iu referuar pozicioneve të pivotit dhe të brendshëm.

Edhe pse parashikimi ishte se ai nuk do të kthehej për të luajtur një ndeshje derisa të kushun kaluar 12 muaj, evolucioni spektakolar i lojtarit nga Los Palacios ka bërë që ai të ketë arritur të shkurtojë pak kohë për rikthimin e tij. "Ne duhet ta ndalojmë atë," pranuan Flick dhe Presidenti Laporta, duke parë Gavi të stërvitej me energji të shfrenuar.

Rikthimi i tij jo vetëm që do të thotë se Flick rikuperon një lojtar të rëndësishëm, por është gjithashtu një goditje brutale e adrenalinës për dhomat e zhveshjes përpara përballjes me ndeshjet e ‘ferrit’, që fillojnë sonte kundër Sevillas në Montjuïc dhe vazhdojnë me Bayernin në Champions League të mërkurën, të shtunën, ‘El Cásico’  në Santiago Bernabéu dhe më pas kundër Espanyol në shtëpi (3 nëntorin e ardhshëm).

Gavi u dëmtua më 20 nëntor, në një ndeshje me kombëtaren kundër Gjeorgjisë në Granada. Ai pësoi një çarje të plotë të ligamentit të kryqëzuar të përparmë në gjurin e tij të djathtë dhe një dëmtim të shoqëruar në meniskun anësor.

Tani, pasi mungoi sezonin e kaluar dhe një pjesë të fillimit të këtij, dhe pas njëmbëdhjetë muajsh larg nga fusha e lojës ku e pati të vështirë, Gavi rikthehet për të përforcuar një skuadër lider në La Liga, që dëshiron të lajë hesapet kundër Bayernit këtë të mërkurë që vjen.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll