Politike

Strategjia e Shqipërisë Turistike 2030, Kumbaro: 9.7 milionë vizitorë të huaj deri në shtator! Kemi arritur pothuajse gjithë bilancin e vitit që shkoi

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro gjatë fjalës së saj bëri një pasqyrë të projekteve dhe bilanc të shifrave, duke theksuar se ky sezon turistik u mbyll me 9,7 milionë vizitorë të huaj nga janari në shtator.

12 Tetor 2024, 11:01 Nga N.F
Strategjia e Shqipërisë Turistike 2030, Kumbaro: 9.7 milionë
Kumbaro

TIRANË- Ditën e sotme është mbajtur në Pallatin e Kongreseve takimi vjetor për analizën e sezonit turistik veror 2024 dhe për të prezantuar Strategjinë e re Kombëtare të Turizmit nën vizionin e Shqipërisë turistike 2030.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro gjatë fjalës së saj bëri një pasqyrë të projekteve dhe bilanc të shifrave, duke theksuar se ky sezon turistik u mbyll me 9,7 milionë vizitorë të huaj nga janari në shtator.

“9,7 milionë vizitorë të huaj që kemi pritur nga janari në shtator, në mbyllje të sezonit, duke arritur pothuaj gjithë bilancin e vitit që shkoi, që ishte edhe viti rekord në turizëm. Janë tregues i një turizmi që rritet bashkë me ambiciet tona për të konsoliduar një ofertë me nivelet më të larta të cilësisë, standardeve dhe mikpritjes”, tha Kumbaro.


Ajo u shpreh më tej se Shqipëria ka arritur të konsolidojë një ofertë turistike të shtrirë gjatë gjithë vitit dhe në të gjithë territorin, çka konfirmohet edhe nga rritjet e numrit të vizitorëve në zonat e mbrojtura e parqet kombëtare, sitet e kulturës dhe në sipërmarrjet e agroturizmit.

“Kemi zbuluar rrugën për të pasur turizëm të shtrirë në kohë dhe në territor dhe këtë e tregojnë 4.5 milionë vizitorët e zonave të mbrojtura gjatë vitit 2024 apo 1 milionë vizitorët e siteve të kulturës, falë punës së mirë që është bërë në promovimin e trashëgimisë kulturore. E tregojnë gjithashtu 270 ofertat në agroturizëm dhe kërkesa shumë e lartë për të qenë në këtë treg, ndërsa falë strategjisë së Agorturizmit, synimi është që potencialet e këtij sektori të përkthehen në 1000 njësi deri në vitin 2030”, shtoi ministrja.

Ministrja Kumbaro u ndal tek Strategjia Kombëtare e Turizmit 2024-2030, duke prezantuar shtyllat mbi të cilat ndërtohet modeli i zhvillimit të qëndrueshëm si dhe disa prej objektivave që synojnë.

“Strategjia mbështetet në gjashtë shtylla kryesore: Investimet, Politika fiskale dhe rregullatore në turizëm, Menaxhimi i destinacioneve, Zhvillimi i produktit turistik, Marketingu i destinacioneve dhe Ngritja e kapaciteteve mbështetur në tre parimet bazë që janë aspekti social, mjedisor dhe ekonomik”, u shpreh ministrja, duke njoftuar se dokumenti do të hidhet për konsultim publik në javën e ardhshme.

 

mirela kumbaro

Sondazh

Poll