Sport

Valverde siguron, se ajo që Luis Suarez tha për Bielsan, "është e gjitha e vërtetë"...

Mesfushori i kombëtares uruguajane Federico Valverde, i cili luan për Real Madridin, siguroi këtë të hënë se ajo që tha Luis Suarez për marrëdhënien dhe sjelljen e trajnerit Marcelo Bielsa "është e gjitha e vërtetë".

7 Tetor 2024, 17:04 Nga DOSJA

Valverde siguron, se ajo që Luis Suarez tha për Bielsan,

SPANJE - Mesfushori i kombëtares uruguajane Federico Valverde, i cili luan për Real Madridin, siguroi këtë të hënë se ajo që tha Luis Suarez për trajnerin Marcelo Bielsa  "është e gjitha e vërtetë" dhe se mënyra e vetme për të zgjidhur problemet, është bashkëbisedimi.

"Ajo që tha Luis është e gjitha e vërtetë. Ai kurrë nuk gënjeu dhe nuk tha kurrë gjëra që nuk ishin të vërteta. Nuk e teproi në asnjë moment, i tha gjërat ashtu siç janë".

Nga ana tjetër, Valverde tha se mënyra për të zgjidhur problemet është vetëm bashkëbisedimi, diçka që nuk është bërë, që kur argjentinasi drejton ekipin e Uruguajit.

"Ne e kemi bërë gjithmonë kështu dhe kjo do të jetë një gjë, që do të rregullohet në të njëjtën mënyrë,"- tha Valverde, i cili shtoi se Suarez nuk duhet të kërkojë leje nga askush për të folur dhe se ai e jeton futbollin me "një pasion të jashtëzakonshëm”.

“Ai është Luis Suarez, idhulli i gjithë Uruguajit dhe mund të bëjë çfarë të dojë”,-përfundoi mesfushori gjatë një bisede që pati me mediat në aeroportin ndërkombëtar Carrasco.

Ditë më parë, golashënuesi historik i Celestes, ka dhënë një intervistë për programin DSports 'De Fútbol Se Habla Así', në të cilën ka rrëfyer ngjarje të ndryshme që kanë ndodhur me Bielsën së fundmi.

Ai theksoi se kishte futbollistë, që i kërkuan argjentinasit "të paktën t'u thoshte ditën e mirë" dhe theksoi se nuk duhet të jetë çudi, nëse më shumë lojtarë heqin dorë nga të luajturit për Uruguajin. Në fakt, ai tregoi se kishte lojtarë që menduan në Kupën e fundit të Amerikës të mos luajnë më për kombëtaren.

Nga ana tjetër, ai tha, se disa nga punëtorët e lidhur me ekipin kombëtar, si rekuizita apo fizioterapistët, e “pëlqenin” punën më tepër me Óscar Washington Tabárez, apo Diego Alonson dhe se tani nuk mund ta shijojnë punën e tyre.

Ai kujtoi gjithashtu se para Kupës së Amerikës ai foli për pesë ose gjashtë minuta me Bielsan për disa tema dhe se trajneri u kufizua vetëm me përgjigjen: “Faleminderit shumë, Luis”.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll