Aktualitet

21 Janari/ Artan Hoxha del nga SPAK: Materiali audio është 34 minuta,dalin përgjime të zyrtarëve të lartë

Teksa ka folur për mediat, Hoxha ka deklaruar se në SPAK ka dorëzuar një material audio për vrasjet e ndodhura në protestën e 21 Janarit. 

3 Tetor 2024, 13:26 Nga I.A
21 Janari/ Artan Hoxha del nga SPAK: Materiali audio është 34
Artan Hoxha

TIRANË-Gazetari investigativ Artan Hoxha ka lënë ambientet e Prokurorisë së Posaçme pas më shumë se 3 orësh marrje në pyetje. Teksa ka folur për mediat, Hoxha ka deklaruar se në SPAK ka dorëzuar një material audio për vrasjet e ndodhura në protestën e 21 Janarit. Po ashtu Hoxha ka theksuar se nëse të shtënat në atë moment të protestës do të zgjasnin 30 sekonda, në sheh do të ishte bërë masakër. 

“Gjykata atëherë vendosi se gjithçka ndodhi nga pakujdesia dhe nuk kishte komunikim. Kaseta, me anë të saj vërtetohet komunikimi, por komunikimi është rutinë, në momentin pas vrasjes më duket shumë i ftohtë, sikur nuk ka ndodhur asgjë.  Materiali shërben për të identifikuar kush është zinxhiri komandues i Gardës dhe drejtues të tjerë të lartë të shtetit që kanë komunikuar me drejtuesit e Gardës. Prokuroria do të vlerësojë më pas sa i vlefshëm është ai audioregjistrim.

Jo vetëm ka qenë me urdhër, por urdhër ka ardhur më lart me gjakftohtësi më të madhe, ashtu sikurse erdhi dhe urdhri për të ndaluar. Nëse zjarri do të zgjaste sikur 30 sekonda më shumë, aty do të ishte bërë masakër shumë më e madhe se sa u bë. Për mua, nëse nuk zbardhet as këtë radhë, nuk ka për t’u zbardhur më. Provat u prishën që në momentin që ndodhi ngjarja. SPAK tani është më ndryshe, e ka ma të lehtë të thërrasë zyrtarë të lartë. Kam identifikuar dy të tjerë që nuk kanë qenë pjesë e Gardës, por kjo u përket hetimeve”, tha ai.

Disa muaj më parë Gjykata e Lartë vendosi që dosja ‘21 janari’ të hetohet nga SPAK, që është i detyruar të regjistrojë procedimin. Sakaq protesta e 21 janarit u thirr nga Partia Socialiste pasi u shfaq një video që implikonte ministrin e Jashtëm të atëhershëm Ilir Meta në aktivitete korruptive duke e treguar atë teksa diskutonte se si të përfitonte nga një tender publik. Gjatë protestës shpërtheu dhuna, ndërsa protestuesit u përleshën me policinë dhe katër protestues Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika u qëlluan nga Garda e Republikës. Nga të shtënat me armë u plagosën dhe disa të tjerë.

artan hoxha

Sondazh

Poll