Bota

Kurti për median ukrainase: Rusia dëshiron të zgjerohet në kurriz të Evropës! Lufta e Ukrainës është një luftë për demokraci

Ai theksoi se mbështetja e Kosovës për Ukrainën nuk është vetëm simbolike, por e rrënjosur në përvojën e ngjashme historike të Kosovës me agresionin dhe luftën për pavarësi.

1 Tetor 2024, 18:21 Nga N.F
Kurti për median ukrainase: Rusia dëshiron të zgjerohet në
Kurti

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së fundmi ka zhvilluar një intervistë me një media ukrainasë ku ka treguar mbështetje të palëkundur për Ukrainën pas pushtimit nga Rusia. Në një intervistë për agjencinë ukrainase të lajmeve "UNIAN", Kurti ndau perspektivat e tij mbi luftën, bashkëpunimin mes Kosovës dhe Ukrainës, dhe paralelizmat historikë midis përvojave të të dy vendeve.

Ai theksoi se mbështetja e Kosovës për Ukrainën nuk është vetëm simbolike, por e rrënjosur në përvojën e ngjashme historike të Kosovës me agresionin dhe luftën për pavarësi.


“Fitorja e Ukrainës do të thotë çlirim i territorit të saj dhe paqe për qytetarët e saj,” u shpreh Kurti.

Ai vuri në dukje se për popullin e Kosovës, imazhet e luftës në Ukrainë risollën kujtimet e hidhura të luftës së Kosovës në vitet 1998-1999. Kurti gjithashtu diskutoi rëndësinë e rolit të Evropës në këtë konflikt dhe theksoi se lufta e Ukrainës është një betejë për të ardhmen e kontinentit.

Më tej gjatë fjalës së tij kryeministri i Kosovës kritikoi disa vende evropiane për mosveprimin e mjaftueshëm, duke i bërë thirrje BE-së të rrisë ndihmën e saj për Ukrainën në aspektin ushtarak dhe ekonomik. Për sa i përket bashkëpunimit midis dy vendeve, ai u shpreh se Kosova ka ofruar trajnime për pastrimin e minave dhe mbështetje ushtarake për Ukrainën.

Kurti gjithashtu diskutoi për përvojat që Ukraina mund të marrë nga periudha pas luftës së Kosovës, duke paralajmëruar për rreziqet e privatizimit të pakontrolluar dhe rëndësinë e menaxhimit të ndihmave ndërkombëtare. Ndërsa Ukraina nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës, Kurti shprehu shpresën se ky hap mund të ndodhë në të ardhmen.

kurti lufta rusi-ukraine

Sondazh

Poll