Bota

Tragjedi në ishujt Kanarie të Spanjës/ Përmbyset varka me emigrantë, nëntë të vdekur dhe 48 të zhdukur

Gjithashtu sipas shërbimeve të shpëtimit, ky mund të jetë incidenti më vdekjeprurës i tillë në 30 vjet të kalimeve të tilla në Ishujt Kanarie.

28 Shtator 2024, 16:50 Nga E. D
Tragjedi në ishujt Kanarie të Spanjës/ Përmbyset varka me
foto ilustruese

SPANJË- Nëntë persona kanë humbur jetën dhe 48 të tjerë janë zhdukur pas mbytjes së një anijeje emigrantësh në ishujt Kanarie të Spanjës. Gjithashtu sipas shërbimeve të shpëtimit, ky mund të jetë incidenti më vdekjeprurës i tillë në 30 vjet të kalimeve të tilla në Ishujt Kanarie.

Po ashtu ata shtuan se shërbimet e urgjencës ishin në gjendje të shpëtonin 27 nga 84 emigrantë që po përpiqeshin të arrinin në brigjet spanjolle. Sipas autoriteteve spanjolle, emigrantët ishin nga Mali, Mauritania dhe Senegali. Menjëherë pas mesnatës me orën lokale, ekipi i shpëtimit mori një telefonatë nga anija, e vendosur rreth katër milje në lindje të El Hierro. 

"Të gjithë emigrantët në bord u përqendruan në të njëjtën anë të varkës gjatë shpëtimit, gjë që bëri që ajo të përmbysej. Të gjithë ranë në det," tha Manuel Barroso, kreu i shërbimeve të shpëtimit detar të Spanjës.

Ai shtoi se shpëtimi ka qenë sfidues pasi era e fortë dhe dukshmëria e dobët e bënë shpëtimin jashtëzakonisht të vështirë. Konkretisht deri më tani, nëntë trupa janë nxjerrë dhe shërbimet e urgjencës janë ende në kërkim për të tjerët. Ndërkohë, tre varka të tjera me 208 emigrantë, mbërritën në Ishujt Kanarie gjatë natës. Në rreth 30 vjet kalimesh të emigrantëve në ishuj, anija më vdekjeprurëse e regjistruar deri më tani ndodhi në vitin 2009 në ishullin Lanzarote ku vdiqën 25 njerëz.

Autoritetet lokale thanë këtë muaj se detet e qeta dhe erërat e buta të lidhura me fundin e verës në Oqeanin Atlantik në brigjet e Afrikës Perëndimore kanë çuar në rritjen e fundit të lëvizjes së emigrantëve. Ishujt Kanarie kanë një popullsi prej rreth 2.2 milionë banorë. Rruga nga Afrika në Ishujt Kanarie ka parë një rritje prej 154 për qind të emigrantëve këtë vit. Në shtatë muajt e parë, 21,620 emigrantë kanë kaluar ishujt, siç thuhet nga të dhënat e agjencisë kufitare të Bashkimit Evropian, Frontex.

emigrante ishujt kanarie të spanjës

Sondazh

Poll