Politike

Ndihma e Shqipërisë ndaj hebrenjve, Rama në SHBA: Vendet tona do dalin më të fortë në çdo sprovë

Kryeministri shtoi më tej se ka një histori që lidh Izraelin me Shqipërinë, ku tha se kapitulli më i rëndësishëm ishte Holokausti.

28 Shtator 2024, 11:48 Nga r.ll
Ndihma e Shqipërisë ndaj hebrenjve, Rama në SHBA: Vendet tona do
edi rama

SHBA- Ditën e sotme në New York po zhvillohet një aktivitet për kontributin dhe vlerësimin e Shqipërisë dhënë për strehimin dhe mbrojtjen e Hebrenjve. Kryeministri Edi Rama gjatë fjalimit të tij tha se dy vendet kishin shpirt të ngjashëm.

Rama u shpreh se shqiptarët e njohin "dhimbjen e pashembullt të plagëve të se shkuarës dhe nevojën për të mos i harruar shkaqet e tyre." Kryeministri shtoi më tej se ka një histori që lidh Izraelin me Shqipërinë, ku tha se kapitulli më i rëndësishëm ishte Holokausti. Asokohe, sipas Ramës, Shqipëria u bë i vetmi vend europian që nuk dorëzoi as edhe një hebre të vetëm dhe e vetmja ku popullata hebreje pas luftës ishte rritur njëzet fish.

Pjesë nga fjala e Ramës:

Për ata prej jush që nuk kanë qenë kurrë në Tiranë, atje ka një bunker të nëndheshëm në qendrën e qytetit. U ndërtua për t’i bërë ballë sulmit të NATO-s. Sot, është transformuar në një hapësirë kushtuar viktimave të atyre që e ndërtuan.

Bunkeri të kujton një ngjasim modest të Yad Vashemit: Brenda shkallëve, poshtë fotografive të mijëra shqiptarëve të vrarë nga regjimi ynë i stilit koeanoverior në mes të Europës, disa shkronja neoni formojnë fjalët e Primo Levit, “ata që harrojnë të shkuarën, janë të dënuar ta jetojnë sërish”.

Po e përmend këtu jo për të hequr ndonjë paralelizëm të pamundur midis shfarosjes së tmerrshme masive të miliona hebrenjve nga regjimi nazist dhe vdekjeve tragjike që regjimi ynë komunist u solli mijëra të pafajshmëve që u shpallën armiq të popullit, por thjesht për t’ju thënë të gjithëve ju se ne, shqiptarët, e njohim si dhimbjen e pashembullt të plagëve të mëdha të historisë, ashtu edhe nevojën e pakrahasueshme për të mos i harruar kurrë shkaqet e tyre.

Ne jemi dy kombe të vegjël si madhësi, por me shpirt të jashtëzakonshëm. Meqë ra fjala, u gëzova shumë kur mora vesh se popullata hebreje në Izrael arriti në 10 milionë banorë, sepse besoj që çdo hebre i porsalindur është bekim jo vetëm për Izraelin, po për mbarë botën, borxhi i së cilës ndaj hebrenjve nuk mund të fshihet kurrë.

Sidoqoftë, duke iu kthyer madhështisë së shpirtit të kombeve tona, më duhet të citoj mikun tim të madh, të ndjerin Shimon Peres, i cili thoshte, “Shpirti nuk mund të digjet në furra”. Po, shpirti triumfon ngaherë.

Me lini t’ju rrëfej bindjen time të patundur se shpirtrat tanë mund të përballen me sprova, të vogla a të mëdha, kohë pas kohe, me kundërshtitë e historisë sonë të tashme dhe të ardhme, por, në fund të gjithçkaje, ata do të triumfojnë ngaherë dhe kombet tona të vogla do dalin më të forta nga çdo sprovë.

Ka një histori të thellë që lidh dy popujt tanë. Sigurisht, kapitulli më i njohur është Holokausti, kur Shqipëria u bë i vetmi vend europian që nuk dorëzoi as edhe një hebre të vetëm dhe e vetmja ku popullata hebreje pas luftës ishte rritur njëzet fish. Ndërkohë që iknin nga vendet e tjera për t’i shpëtuar vdekjes, hebrenjtë fluturonin drejt Shqipërisë për të mbrojtur jetët e tyre nën premtimin tonë te çeliktë të Besës –fjalës së shenjtë të nderit që i jepet tjetrit ose një famijeje tjetër dhe që mbrohet deri me jetë nga ai besëdhënësi.

Trashëgimia jonë e përbashkët shtrihet përgjatë shekujve dhe përmes këtyre shekujve, sipërfaqja e e vogël e tokës sonë kurrë nuk e ka kufizuar as madhështinë e ëndrrave tona, as gjatësinë krahëve tanë të hapur për hebrenjtë.

edi rama new york ndihma e shqiperise per hebrenjte

Sondazh

Poll