Politike

Nisi vuajtjen e dënimit në burgun e Fierit/ "Kërkesë në GJL dhe padi në SPAK", Ervin Salianji fillon betejën ligjore, hapat që pritet të ndjekin avokatët e tij

Avokatët e tij kanë dorëzuar dje një kërkesë në Gjykatën e Tiranës për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të Apelit, pasi sipas tyre sjell pasoja për deputetin siç është humbja e mandatit dhe pamundësia për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.

28 Shtator 2024, 11:28 Nga r.ll
Nisi vuajtjen e dënimit në burgun e Fierit/ "Kërkesë
ervin salianji

TIRANË- Mbrëmjen e djeshme deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji u transferua në burgun e Fierit, ku do të kryejë dënimin e tij për një vit. Pavarësisht burgosjes, ai u shpreh se betejën e tij do ta vazhdojë edhe nga qelia. Avokatët e tij kanë dorëzuar dje një kërkesë në Gjykatën e Tiranës për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të Apelit, pasi sipas tyre sjell pasoja për deputetin siç është humbja e mandatit dhe pamundësia për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.

Hapi i radhës i ekipit ligjor të Salianjit do të jetë kërkesa në Gjykatën e Lartë për pezullimit të vendimit, e cila do të dorëzohet bashkë me rekursin, në momentin që do të zbardhet vendimi i arsyetuar i Gjykatës së Apelit. Ndërkohë të hënën, siç e paralajmëruan do të ketë kallëzim penal në SPAK, ndaj ish-ministrit Fatmir Xhafaj për falsifikim dhe shpërdorim detyre. 

Siç e thamë më sipër, deputeti demokrat u transferua mbrëmjen e djeshme në burgun e Fierit ku do të vuajë edhe dënimin e tij për 1 vit. Fillimisht, Salianji u vetëdorëzua në drejtorinë e policisë së Tiranë, i shoqëruar nga avokatët e tij kreu procedurat ligjore për ekzekutimin e vendimit gjyqësor. Si në fjalën e tij jashtë selisë dhe në fjalën para policisë, Salianji theksoi se pavarësisht kërkesës së grupit të PD për ngujim, ka vendosur që betejën e tij ta vazhdojë në ambientet e burgut. 

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me 1 vit burg për deputetin demokrat Ervin Salianji. Salianji është dënuar së bashku me Albert Veliun, që pritet të vuaj dënimin me 10 muaj burg si dhe gazetarin Jetmir Olldashi me 100 orë punë komunitare. Apeli ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë. Shkalla e parë vendosi që Salianji të dënohet për kallëzim të rrëmë, në lidhje me një denoncim që ka bërë për vëllanë e ish-Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, Agron Xhafa. Në audio-përgjimin që publikoi Salianji, thuhej se Agron Xhafa ishte pjesë e një rrjeti kriminal të trafikut të lëndëve narkotike. Deputeti demokrat është lënë në burgun e Fierit për të vuajtur dënimin prej 1 viti burg.

 

denimi i ervin salianjit burgu i fierit

Sondazh

Poll