Aktualitet

Shtyhet hapja e kampit në Gjadër, Meloni: Na duhen dhe disa javë që gjithçka të jetë gati

Këtë deklaratë Meloni e ka bërë pas takimit me kreun e qeverisë britanike, Keir Starmer.

17 Shtator 2024, 17:01 Nga E. D
Shtyhet hapja e kampit në Gjadër, Meloni: Na duhen dhe disa javë
Georgia Meloni

ITALI- Kryeministrja e Italisë Georgia Meloni ka bërë me dije se është shtyrë sërish hapja e kampit të emigrantëve në Gjadër. Gjithashtu Meloni tha se duhen edhe disa javë që gjithçka të jetë perfekte. Këtë deklaratë Meloni e ka bërë pas takimit me kreun e qeverisë britanike, Keir Starmer. Kampi i refugjatëve në Gjadër parashikohej që të hapej në shtator.

“Ne jemi duke punuar për këtë projekt me seriozitet të jashtëzakonshëm. Do të duhen edhe disa javë që të jetë perfekt. Do të kisha preferuar që të fillonte më herët, por ne i kemi sytë e botës të fokusuar tek kjo nismë. Nëse duhen pak më shumë ditë, nuk më intereson”, tha ajo. 

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Giorgia Meloni nënshkruan në 6 Nëntor një marrëveshje për strehimin e emigrantëve në Shqipëri.  Sipas dokumentit të publikuar, Shqipëria i jep një territor qeverisë së Italisë për një afat pesëvjeçar, në të cilin do të mbahen deri në tre mijë azilkërkues në pritje të vlerësimit të meritave të kërkesës së tyre për azil.

Sipas marrëveshjes, afati i qëndrimit të tyre në Shqipëri “nuk mund të jetë më i gjatë sesa periudha maksimale e lejuar nga legjislacioni përkatës italian.”  Sipas praktikës së zakonshme aktuale, azilkërkuesit pajisen me një leje qëndrimi të përkohshme ndërsa presin shqyrtimin e aplikimit të tyre por kjo pritet të mos ndodhë kësaj here, pasi azilkërkuesit supozohet se do të mbahen në një kamp të rrethuar në territorin e Republikës së Shqipërisë.

georgia meloni

Sondazh

Poll