Politike

Akuzat e PD-së për Vullnet Sinaj/ Këshilli i Mandateve mblidhet më 4 shtator

Në këtë mbledhje do të diskutohen akuzat e PD-së se deputeti socialist ka përfituar tendera nga buxheti i shtetit në kundërshtim me Kushtetutën.

29 Gusht 2024, 14:28 Nga I.A
Akuzat e PD-së për Vullnet Sinaj/ Këshilli i Mandateve mblidhet
Vullnet Sinaj

TIRANË- Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka vendosur mbledhjen e Këshillit për Rregulloren edhe Mandatet për të diskutuar në lidhje me kërkesën e Partisë Demokratike për vlefshmërinë e mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj. Në njoftimin e Kuvendit bëhet me dije se Këshilli i Mandateve do të mblidhet më 4 shtator. Në këtë mbledhje do të diskutohen akuzat e PD-së se deputeti socialist ka përfituar tendera nga buxheti i shtetit në kundërshtim me Kushtetutën.

Njoftimi i Kuvendit:

Në vijim të mocionit të dorëzuar nga deputetët e Grupit Parlamentar të PD për heqjen e mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj, Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali ka thirrur mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ditën e mërkurë, datë 04.09.2024, ora 11:00, me këtë rend dite: “Shqyrtimi i mocionit të 1/10 të deputetëve përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për ndjekjen e procedurës parlamentare për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj dhe dërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar nga Kryetarja e Kuvendit që të mbledhë Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet për shqyrtimin e mocionit të paraqitur nga subjekti kushtetues jo më pak se 1/10 e deputetëve të Kuvendit, përfshirjen në Rendin e Ditës së një prej seancave më të para të Kuvendit dhe dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për konstatimin e papajtueshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj. PD thotë se nga verifikimi i të dhënave të thesarit të shtetit, rezulton se deputeti Sinaj në kundërshtim flagrant me nenin 70, pika 3 e Kushtetutës, ka përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit, në vlerë disa milion lekë, përmes 9 kompanive të tij private, gjatë periudhës ku ushtron edhe mandatin e deputetit.

elisa spiropali

Sondazh

Poll