Politike

"Integrimi i aftësive dhe përvojave në shërbimin tonë diplomatik", përfundon konferenca e ambasadorëve shqiptarë “Diplo 2024”

Në fokus të diskutimeve ishin edhe dhënia e ideve dhe ndarja e mendimeve për prioritetet e MEPJ: avancimi i procesit të integrimit evropian, forcimi i diplomacisë ekonomike dhe rolit të Diasporës, modernizimi i shërbimeve konsullore etj.

28 Gusht 2024, 19:25 Nga M.B
"Integrimi i aftësive dhe përvojave në shërbimin
Foto nga vendi i ngjarjes

TIRANA- Përfundoi sot Konferenca e Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë “Diplo 2024”, organizuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme. Në 3 ditët e konferencës (26 -28 gusht 2024), u nënvizua rëndësia e integrimit të aftësive dhe përvojave të ndryshme në shërbimin tonë diplomatik. Në fokus të diskutimeve ishin edhe dhënia e ideve dhe ndarja e mendimeve për prioritetet e MEPJ: avancimi i procesit të integrimit evropian, forcimi i diplomacisë ekonomike dhe rolit të Diasporës, modernizimi i shërbimeve konsullore etj.

Diskutimet nxorën në pah nevojën për përmirësimin e bashkëpunimit me ministritë e linjës, për të çuar përpara axhendën e reformave, sikundër edhe përgatitjet për Samitin e NATO-s dhe Samitin e Komunitetit Politik Evropian. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani bëri me dije se Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme do t’i nënshtrohet reformave strukturore për të rritur efikasitetin dhe për të forcuar marrëdhëniet ndërmjet Ministrisë dhe përfaqësive të saj.

Struktura e re synon të nxisë energjinë dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm mes të gjitha hallkave të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Shqipërisë. Një prej risive, është edhe krijimi i Drejtorisë së Bashkëpunimit me Faktorin Shqiptar, në fokus të të së cilës do të jenë qytetarët shqiptarë, kudo që ata jetojnë.

Ligji i ri për shërbimin e jashtëm, i cili prej javësh është në konsultim publik, jo vetëm do të mbështesë natyrën dinamike dhe në zhvillim të aktivitetit diplomatik, por edhe do të njohë kontributet e shqiptarëve që punojnë në organizatat ndërkombëtare dhe do të hapë dyert për përfshirjen e tyre në shërbimin e jashtëm.

Në “Diplo 2024”, në panelet e brendshme të konferencës ishin të ftuar, zv.kryeministja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme të Sllovenisë Tanja Fajon, Ministri i Financave, Petrit Malaj, Ministrja Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, Ministri Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka, kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli, kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, Jorida Tabaku, zv.Kryeministri i Parë dhe Ministër i Mjedisit të Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, rektorja e Kolegjit të Evropës Frederica Mogherini si dhe ekspertë vendas e të huaj të fushave të ndryshme.

tirana diplo 2024

Sondazh

Poll