Aktualitet

Ndërroi jetë në QSUT/ Kush është Fotaq Zaharia, i “forti i Vlorës” që mundi shtetin në Strasburg

Përmes një rekursi në Gjykatën e Lartë, Zaharia pretendon se “mbajtja në kushte ç’njerëzore dhe degraduese, të papajtueshmërisë së gjendjes shëndetësore me burgimin, i rrezikon shëndetin dhe jetën”. 

26 Gusht 2024, 12:05 Nga I.A
Ndërroi jetë në QSUT/ Kush është Fotaq Zaharia, i
Fotaq Zaharia

TIRANË- Fotaq Zaharia, i njohur si i forti i Vlorës ka ndërruar jetë ditën e sotme në QSUT. Drejtoria e Burgjeve ka deklaruar se 64-vjeçari ka humbur jetën në orën 01:10 të mëngjesit të sotëm në Reanimacionin e QSUT-s. Zaharia po vuante një dënim prej 25 vitesh për vrasje dhe ishte shtruar fillimisht në Spitalin e Burgjeve më 22 Korrik 2024.

“I forti i Vlorës” po vuante një dënim prej 25 vitesh për vrasje. Gjatë vitit 2018 ai kërkonte nga autoritetet t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale, pasi gjendja e tij ishte rënduar, por kjo kërkesë nuk gjeti zbatim. Ai kishte kërkuar që t’i vendosej një pllakë në këmbë për shkak të sëmundjes. Çështja e tij shkoi deri në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, ku kjo e fundit i dha të drejtë.

Fotaq Zaharia, i dënuar me 24 vite burg, për tentativë vrasje, grabitje dhe pengmarrje, i njohur si ‘i forti i Vlorës’ në periudhën e fund viteve ’90 dhe fillim viteve 2000, kërkon lirinë nga burgu. Përmes një rekursi në Gjykatën e Lartë, Zaharia pretendon se “mbajtja në kushte ç’njerëzore dhe degraduese, të papajtueshmërisë së gjendjes shëndetësore me burgimin, i rrezikon shëndetin dhe jetën”.  Në janar të 2007 kur edhe u arrestua, rezultonte si një nga 10 personat më të kërkuar në Shqipëri.

Akuza më e rëndë ishte plagosja e shefit të krimeve në Vlorë, Gentian Musabelliu, të cilën e kreu bashkë me Armando Begën, shokun me të cilin ishte arratisur nga qelitë e paraburgimit të Vlorës në vitin 2000. Fotaq Zaharia, u ndalua në banesën e vjehrrës së tij në Vlorë, dhe nga shkëmbimi i zjarrit me policinë, mbeti i plagosur, pas të cilës erdhën edhe përpjekjet e tij të vazhdueshme me drejtësinë vendase dhe ndërkombëtare. Nën kushtet e arrestit, ai iu nënshtrua ndërhyrjeve spitalore për plagën në këmbë, por nuk u rikuperua plotësisht.

Procesi në Strasburg

Në vitin 2015, Gjykata e Krujës urdhëroi kryerjen e një ndërhyrje të dytë kirurgjikale pasi pjesa metalike e vendosur në këmbë po e dëmtonte.  Moszbatimi i vendimit shkoi në Gjykatën e Strasburgut, dhe në vitin 2016, kjo gjykatë urdhëroi përkohësisht ekzekutimin e e tij.

As në këtë rast, vendimi nuk gjeti zbatim, pasi mjekësia shqiptare pretendonte se e kishte të pamundur. Çështja vijoi në Strasburg ku vitin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, detyroi qeverinë shqiptare ta dëmshpërblente të dënuarin me 15 mijë euro, nga të cilat 13 000 për mbulimin e dëmit pasuror dhe jopasuror dhe 2000 euro, për kostot dhe shpenzimet.

Vendimi dëmshpërblimit

VENDIM PËR EKZEKUTIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT, DATË 9.12.2021, PËR ÇËSHTJEN “FOTAQ ZAHARIA KUNDËR SHQIPËRISË” (KËRKESA NR. 45022/16)

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 46 të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr. 8137, datë 31.7.1996, “Për ratifikimin e Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore”, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr. 115/2021, “Për buxhetin e vitit 2022”, të ndryshuar, me propozimin Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

1. Ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 9.12.2021, për çështjen “Fotaq Zaharia kundër Shqipërisë”, kërkesa nr.45022/16, përfundimtar, në datën 9.12.2021, në shumën 13 000 (trembëdhjetë mijë) euro, për mbulimin e dëmit pasuror dhe jopasuror dhe 2000 (dy mijë) euro, në lidhje me kostot dhe shpenzimet, plus çdo taksë që mund të jetë e aplikueshme.

2. Vlera e përcaktuar si detyrim në pikën 1, të këtij vendimi, të konvertohet në lekë, në bazë të kursit të këmbimit të bankës ku depozitohen shumat, në datën e kryerjes së pagesës.

3. Vlera e përcaktuar si detyrim, në pikën 1, të këtij vendimi të depozitohet në një nga bankat e nivelit të dytë, në emër të kërkuesit Fotaq Zaharia, në vlerën që shteti shqiptar detyrohet, sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 9.12.2021.

4. Pagimi i shumës së depozituar, sipas përcaktimeve në pikën 3, të këtij vendimi, në favor të kërkuesit Fotaq Zaharia, të bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm ligjor për kryerjen e pagesave nga buxheti i shtetit, brenda afatit 3-mujor nga dita, kur vendimi i Gjykatës është bërë përfundimtar.

5. Në rast mospagimi brenda afatit tremujor, të përmendur në pikën 4, të këtij vendimi, mbi shumën e mësipërme, paguhen interesa të thjeshta, të barabarta me kursin margjinal të huas së Bankës Qendrore Evropiane, gjatë periudhës së mospagimit, plus 3%.

6. Efektet financiare, të parashikuara për ekzekutimin e këtij vendimi, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2022.

7. Ngarkohet Ministria e Financave dhe e Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

fotaq zaharia

Sondazh

Poll