Politike

Mbetjet toksike/ Berisha thirrje OKB-së, OSBE-së dhe NATO-s: Sillni një komision, në rrezik jeta dhe siguria e një vendi

Ai tha se është në rrezik jeta, siguria e një vendi dhe një kombi nga një aventurier kryeministër që për pasurimin e tij, sipas Berishës, është i aftë të kryejë çdo krim.

15 Gusht 2024, 20:50 Nga M.B
Mbetjet toksike/ Berisha thirrje OKB-së, OSBE-së dhe NATO-s: Sillni
Sali Berisha

TIRANA- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha tha se në lidhje me lajmet që qarkullojnë për mbetjet toksike u bën organizatave ndërkombëtare që të sjellin komision. Ai tha se është në rrezik jeta, siguria e një vendi dhe një kombi nga një aventurier kryeministër që për pasurimin e tij, sipas Berishës, është i aftë të kryejë çdo krim. Berisha shtoi se jemi para një skandali tmerrësisht të keq, të rrezikshëm me pasoja jashtëzakonisht të paparashikuara.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Miq, kjo është një situatë, ky është një krim tej çdo kufiri. Ky është një dhunim i çdo ligji shqiptar, çdo ligji ndërkombëtar. Unë kam një thirrje për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, me urgjencë të sjellë një komision. Thirrje për OSBE-në, të sjellë një komision. Thirrje për NATO-n, të sjellë një hetim se në lojë, në rrezik është jeta, siguria e një vendi dhe një kombi nga një aventurier, nga një kriminel kryeministër që për pasurimin e tij është i aftë të kryejë çdo krim, është i aftë të fshehë çdo krim.

Po si ka mundësi, mediat botërore ziejnë për lugetërit me helmet e mbushura në Shqipëri, dhe një zyrtar i vetëm shqiptar nuk thotë një fjalë se nuk guxon? Cilat janë lëndët që vijnë dhe shkatërrohen në Shqipëri? Cilat janë helmet e tmerrshme që vijnë dhe groposen në tunelet e Shqipërisë? Edi Rama është një armik i egër i shëndetit dhe qenies së shqiptarëve. Për ç’motiv shkel ai çdo ligj të vendit? Shkel ligjin ndërkombëtar.
Kërcënon vendin, popullin e tij. Kërcënon të tjerët me helmet që eksporton.

Jemi këtu para një skandali tmerrësisht të keq, të rrezikshëm me pasoja jashtëzakonisht të paparashikuara. Ndaj dhe thirrje ime për institucionet e mësipërme ndërkombëtare, të sjellin komision hetimor, të studiojnë mbetjet e rrezikshme në mijëra e mijëra ton që janë nisur nga Durrësi si kurrë ndonjëherë më parë. Nuk ka njerëz më të pasigurt se shqiptarët sot me një kryeministër mafioz që është i aftë të marrë çdo vendim për pasurimin dhe pushtetin e tij.

sali berisha

Sondazh

Poll