Politike

"Të anulohet dekreti për zgjedhjet në Himarë"/ Sot seanca e radhës për kërkesën e Fredi Belerit

Avokatja e Fredi Belerit dhe PBDNJ, Klodiana Gjyzari tha se presidenti caktoi një datë pa skaduar afati që klienti i saj të ankimonte vendimin e KQZ.

30 Korrik 2024, 11:05 Nga r.ll
"Të anulohet dekreti për zgjedhjet në Himarë"/ Sot
fredi beleri

TIRANË- Sot do të mbahet seanca e radhës në Gjykatën Administrative, ku do të shqyrtohet kërkesa e Fredi Belerit. Eurodeputeti kërkon të pezullojë dekretin e presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve për bashkinë e Himarës më 4 gusht. 

Avokatja e Fredi Belerit dhe PBDNJ, Klodiana Gjyzari tha se presidenti caktoi një datë pa skaduar afati që klienti i saj të ankimonte vendimin e KQZ. Sipas saj, ai kishte të drejtë që të ankimonte deri më 5 gusht, në orën 16:00.

“I qëndrojmë kërkesës për sigurim padie. Kërkojmë shfuqizim të dekretit të presidentit Begaj për zgjedhjet më 4 gusht, sigurimin e padisë dhe rrjedhimisht pezullimin e çdo efekti të dekretit deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.”, tha avokatja.

Ndërkohë përfaqësuesja e Presidencës tha se Begaj u vu në lëvizje pasi organi kompetent shpalli vakancën, e po ashtu një organ tjetër kompetent e njoftoi zyrtarisht. “Paditësi Beleri nuk duhet të legjitimohet si palë.”, -tha përfaqësuesja e Presidencës.

Sakaq, përfaqësuesja e Presidencës shtoi: “PBDNJ e ka njohur datën 4 gusht sepse ka vijuar me regjistrimin e kandidatit dhe fushatën.”.

Më 5 korrik KQZ vendosi t'i heqë mandatin kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Belerit. Atë ditë, Beleri, i pranishëm në mbledhje, por dhe mbrojtësit e tij, mbështetën idenë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të shprehej për këtë rast, pa një vendim të Qeverisë që e shkarkonte atë nga detyra. Por sipas kreut të KQZ, Ilirjan Celibashi, vendimi mbështetej në të ashtuquajturin Ligj të Dekriminalizimit. Me urgjencë, Qeveria kërkoi më pas shpalljen e zgjedhjeve të reja në Himarë, nga presidenti, i cili po ashtu me shpejtesi dekretoi 4 gushtin si ditën e votimit.

fredi beleri

Sondazh

Poll