Aktualitet

I akuzuar për abuzimet me fondet e BE-së, paraqitet në SPAK bashkëpunëtori i Beqajt, Gazmend Haxhia

Ndaj tij, gjykata ka caktuar në mungesë "arrest shtëpie" dhe ishte e vetmja masë e cila nuk ishte ekzekutuar nga policia.

11 Korrik 2024, 10:01 Nga M.B
I akuzuar për abuzimet me fondet e BE-së, paraqitet në SPAK
Gazmend Haxhia

TIRANA- Biznesmeni Gazmend Haxhia, i akuzuar nga SPAK si bashkëpunëtor i ish-ministrit në pranga, Ilir Beqaj në dosjen e shpërdorimit të fondeve të BE-së, është paraqitur sot në SPAK për verifikim të masës së sigurisë. Ndaj tij, gjykata ka caktuar në mungesë "arrest shtëpie" dhe ishte e vetmja masë e cila nuk ishte ekzekutuar nga policia.

Haxhia u ndalua mesditën e 8 korrikut nga policia sapo zbriti nga avioni në aeroportin e Rinasit. Avokati i tij Henrik Ligori tha se Haxhia u vetëdorëzua dhe njoftoi prokuroren e çështjes se do ndërpriste vizitën në Kinë për tu përballur me drejtësinë.

Prokuroria e Posaçme dyshon se Beqaj si drejtues i SASPAC, ka abuzuar me të paktën 8 procedura prokurimi nga agjencia për menaxhimin e fondeve të BE, duke fryrë shifrat në qindra mijëra euro drejt kompanive të ndryshme për shërbime të pakryera me përfitues vetë ish-ministrin.

Sipas SPAK SASPAC i dha 125 mijë € kompanisë së biznesmenit Haxhia për organizimin e një konference turizmi e për të njëjtin event, edhe Ministria e Turizmit pagoi 38.5 mln lekë. Pra nga mbi 500 mijë € tenderë, zbulon Prokuroria, u shpenzuan 4.2 mln lekë për një darkë te “Gzona”, që SPAK thotë se është në pronësi të Ilir Beqajt, biznes që u përdorur nga kompanitë përfituese të fondeve që të kthenin paratë si ryshfet.

Më 6 korrik në një seancë rreth 6 orë në Gjykatën e Posaçme u rivlerësuan masat e sigurisë ndaj personave në hetim ku Beqaj u la në arrest me burg, pavarësisht se ofroi 50 mijë euro garanci për të marrë lirinë.

spak

Sondazh

Poll