Politike

SPAK sekuestron 4 mijë hektarë tokë në Himarë/ GJKKO cakton tjetër masë arresti në burg për ish-kryetarin e Bashkisë së Himarës Jorgo Goro

Lidhur me dosjen Goro-Bollano, hetimi ka nisur fillimisht nga prokuroria e Vlorës por u transferua një muaj më parë në SPAK.

4 Korrik 2024, 14:59 Nga I.A
SPAK sekuestron 4 mijë hektarë tokë në Himarë/ GJKKO
Jorgo Goro

TIRANË- Gjykata e Posaçme ka vendosur një tjetër masë sigurie arresti në burg për Jorgo Goron, ish-kryebashkiakun e Himarës. SPAK ka zbritur prej tre ditësh në gjykatë kërkesën për masë ndaj Goros si dhe atë për sekuestro të 4200m2 tokë që është përfituar nga kryebashkiaku i sapokomanduar i Himarës Arqile Bollano.

Lidhur me dosjen Goro-Bollano, hetimi ka nisur fillimisht nga prokuroria e Vlorës por u transferua një muaj më parë në SPAK. Toka ndodhet në zonën e Livadhit në Himarë, e cila sipas prokurorisë është përfituar në mënyrë të padrejtë nga Arqile Bollano, aktualisht kryetar i komanduar nga PS në bashkinë Himarë. 

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e akteve të dërguar për kompetencë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, ka regjistruar procedimin penal nr. 127, të vitit 2024, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga nenet 186 dhe 248 të Kodit Penal. 

Pas kryerjes së veprimeve hetimore dhe analizës së provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se shtetasi J. G., në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë, gjatë procesit të trajtimit të kërkesës së paraqitur nga shtetasi A. B. dhe më tej pajisjen e këtij shtetasi me aktin e marrjes së tokës në pronësi, ka kryer veprime/mosveprime në kundërshtim me nenin 17 të ligjit nr. 9948/2008 “Për Shqyrtimin e Vlefshmërisë Ligjore të Krijimit të Titujve të Pronësisë mbi Tokën Bujqësore”, i ndryshuar, si dhe pikat 1, 2, 3 të VKM-së me nr. 253, datë 6.3.2013 “Për Përcaktimin e Procedurave të Plotësimit të Akteve të Marrjes së Tokës Bujqësore në Pronësi për Familjet Bujqësore në Fshatra e Ish-Kooperativave Bujqësore”, duke konsumuar në këtë mënyrë elementët e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Si rezultat i veprimeve të Bashkisë Himarë, shtetasi A.B. ka përfituar sipas Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi nr….., datë 25.08.2016, një sipërfaqe toke prej 4263 m2. Kjo sipërfaqe toke është përfituar në mënyrë të paligjshme pasi hetimi ka provuar se shtetasi A.B. është trajtuar me tokë bujqësore bazuar në Ligjin nr. 7501/1991 “Për Tokën” sipas AMTP nr…….., datë 08.03.1996, me sipërfaqe totale 7700 m2.

Nisur sa më sipër, Prokuroria e Posaçme i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me kërkesë për caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për shtetasin nën hetim J. G. me detyrë ish-kryetar i Bashkisë Himarë dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr. 67 datë 03.07.2024, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit “Arrest në burg” për këtë shtetas, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Në datën 04.07.2024, Byroja Kombëtare e Hetimit ka ekzekutuar masën e sigurimit “arrest në burg”, caktuar ndaj shtetasit J.G. Hetimet vijojnë me qëllim evidentimin e përgjegjësisë së personave të tjerë të përfshirë në kryerjen e veprës penale.

jorgo goro

Sondazh

Poll