Politike

Homazhet në nderim të Ismail Kadaresë, Rama mban fjalën: Nën hijen e Nënë Terezës, do të ndihej i mbrojtur gjatë kalimit nga kjo botë në tjetrën

Rama tha se salla ku u mbajtën homazhet ishte e montuar për një shfaqje sonte në darkë, ndërsa pasi mori lajmin e vdekjes së tij dhe përgatitjen e ceremonisë funerale, u vendos që skena bashke me imazhin e ndërtuar të Nënë Terezës të mos hiqej.

3 Korrik 2024, 12:04 Nga r.ll
Homazhet në nderim të Ismail Kadaresë, Rama mban fjalën:
edi rama

TIRANË- Në ceremoninë e funeralit të kolosit të letërsisë shqipe, kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalim në nderim të tij.  Rama tha se salla ku u mbajtën homazhet ishte e montuar për një shfaqje sonte në darkë, ndërsa pasi mori lajmin e vdekjes së tij dhe përgatitjen e ceremonisë funerale, u vendos që skena bashke me imazhin e ndërtuar të Nënë Terezës të mos hiqej. Kjo sepse sipas kryeministrit, Kadare "nën hijen e shenjtores së tij të dashur, do të ndihej i marrë në mbrojtje nga të tërë ata që s’e donin."

Edi Rama:  Këtë hije të Nënë Terezës mbi trupin e Ismailit nuk e solli kush, as kush e përgatiti këtë ceremoni, ishte këtu, kishte ardhur më parë. Njoftimi që salla ishte e zënë dhe Nënë Tereza nuk lëvizte dot më erdhi bashkë me foton që po montohej për një shfaqje sot në darkë. “Lëreni aty ju thashë, nuk ka më mirë”. Askujt nuk do i thoshte mendja çka rastësia e solli këtu enkas për Ismailin dhe më mirë se sa nën hijen e saj, shqiptares që i takon botës, as se si tjetër nuk mund të bëhej ceremonia e përcjelljes nga jeta të shqiptarit që i takon botës dhe duke e njohur e dija në çast që nën hijen e shenjtores së tij, Ismaili do të ndihej i marrë nën mbrojtje nga të tërë ata që nuk e donin, përgjatë kalimit të tij nga kjo botë në tjetrën.

Kur edhe Helena do më sillte fjalë se donte veç fjalën time, duke i qëndruar besnike Isit të saj, i cili kishte një alergji të rëndë nderimet e sidomos fjalimet, zgjodhi të keqen më të vogël. Një fjalim të pashmangshëm, të paktën nga dikush që nuk flet thjesht se e kërkon detyra, por edhe si dikush që Ismailin e lidh te kënaqësia e bisedave jo të shpeshta. Ky nder kaq i posaçëm, përveçse një barrë e rëndë përgjegjësia, mu pranë arkëmortit të njeriut që ngjiti gjuhën shqipe në majën më të paarritur, ndërsa letërsinë shqipe në panteonin e mbarë botës, mu bë një siklet i ububushëm. Po aq i rrallë sa dalje në një provim para fytyrës tallëse të Ismailit, me tubimet nderimet, fjalimet. Në fakt sa e mora vesh që vdiq, dhe mendova pashmangshmërinë e përgatitjes ceremoniale, më është bërë si një pullë poste që s’më ndahet nga sytë pamja e tij e sëkëlldisur gjatë ceremonisë së gradimit nga vetë presidenti i Francës.

edi rama ismail kadare

Sondazh

Poll