Sport

“Euro 2024”/ Unai Simon kundër Mbappé: “Temat politike, duhet t’ua lemë të tjerëve!”

Portieri spanjol Unai Simon tha të hënën se futbollistët nuk duhet të marrin pjesë në debate politike, në reagim ndaj komenteve të fundit të Kylian Mbappe për zgjedhjet e parakohshme legjislative.

17 Qershor 2024, 14:56 Nga DOSJA
“Euro 2024”/ Unai Simon kundër Mbappé: “Temat

GJERMANI - I pyetur për qëndrimin që mbajti të dielën ylli i skuadrës franceze Kylian Mbappe  “kundër ekstremistëve”, portieri spanjol Unai Simon vlerësoi të hënën se lojtarët “duhet t'ua lënë politikën të tjerëve”.

“Kylian (Mbappé) është një lojtar që ka shumë ndikim në botë dhe në shoqëri”,- deklaroi portieri i Athletic Bilbaos në një konferencë për shtyp në kampin bazë të Spanjës për  “Euro 2024”. “Ne lojtarët në përgjithësi, kemi shumë ndikim. Por është një temë politike dhe mendoj se ne kemi një tendencë të flasim për tema të caktuara, për të cilat nuk e di nëse duhet të flasim”.

"Unë jam një futbollist dhe mendoj se kjo është e vetmja gjë për të cilën duhet të flas dhe t'ua lë të tjerëve temat politike,"- shtoi ai në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me qëndrimin e Mbappe, të dielën, në lidhje me zgjedhjet e parakohshme legjislative në Francë.

Kapiteni i Bluve u bëri thirrje “të rinjve të shkojnë të votojnë” sepse “ekstremistët janë në portat e pushtetit”, duke besuar se brezi i ri kishte “mundësinë për të zgjedhur të ardhmen e vendit të tij”. 

Ai mbrojti shokun e tij të skuadrës Marcus Thuram, i cili “nuk shkoi shumë larg”, sipas Mbappé, kur tha të shtunën se duhej të “luftonim që RN të mos kalojë”. “Unë jam kundër ideve që përçajnë. (...) Shpresoj se do të jemi akoma krenarë që do ta veshim këtë fanelë më 7 korrik (data e raundit të dytë të zgjedhjeve të parakohshme legjislative),” shtoi Mbappé.

Ky qëndrim i komentuar gjerësisht në mediat franceze, po përflitet edhe në Spanjë, ku gazeta ‘AS’ e ka titulluar mëngjesin e kësaj të hëne “Mbape kundër të djathtës ekstreme”. Media tjetër madrilene, ‘Marca’, shkruante në njërën “Mbappé hyn në fushatë”, para futjes së bluve në fushën e blertë kundër Austrisë (e hënë në orën 21:00).

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll