Bota

Sekuestrohen sërish armë, fishekë dhe eksplozivë në veri të Kosovës, në kërkim dy serb

Sipas policisë janë kontrolluar dy lokacione që ndërlidhen me dy persona për të cilët tha se janë ish-pjestarë të Mbrojtjes Civile dhe pjesëtarë të grupit terrorist të Banjskës.

14 Qershor 2024, 22:34 Nga E. D
Sekuestrohen sërish armë, fishekë dhe eksplozivë në
pamje nga vendngjarja

KOSOVË- Policia e Kosovës gjatë një operacioni në veri të vendit ka sekuestruar sërish një arsenal armësh. Sipas policisë janë kontrolluar dy lokacione që ndërlidhen me dy persona për të cilët tha se janë ish-pjestarë të Mbrojtjes Civile dhe pjesëtarë të grupit terrorist të Banjskës. Bëhet fjalë për një lokacion në veri të Mitrovicës, në afërsi të lagjes Tre Rrokaqiejt i cili ndërlidhet me personin në kërkim, Marjan Radojeviç.

Sipas policisë lokacioni tjetër është në rrugën Qeta e Minatorëve në veri të Mitrovicës dhe ka të bëj me personin në kërkim, Zharko Cvetkoviç. Policia tha gjithashtu se aktivitetet operative janë kryer në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe qytetarët.

“Kemi marr informacione për këto lokacione dhe këto armë”, tha në një konferencë për media të premten, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani i cili gjithashtu bëri të ditur se nuk ka të arrestuar.

Policia njoftoi se gjatë operacionit konfiskoi, ndër të tjera, 30 copë mjete të dyshuara si eksploziv, armë të gjata, fishekë, pistoletë, kuti me lëndë të dyshimtë, jelekë të brendshëm antiplumb dhe uniformë. Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serbësh e ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues.

Kosova e konsideron Serbinë si përgjegjëse për organizim dhe kryerje të sulmit, por Beogradi mohon gjithçka. Pak kohë pas sulmit, përgjegjësinë e mori Millan Radoiçiç, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar. Ai e kishte pranuar publikisht organizimin e sulmit, megjithatë vazhdon të jetë i lirë pasi është larguar nga Kosova pas sulmit. Prej sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, autoritetet e Kosovës kanë prezantuar disa herë armatim të konfiskuar në pjesën veriore.

kosove sekuestrohen armë fishekë dhe eksplozivë

Sondazh

Poll