Bota

Presidentja e parë femër në 200 vjet pavarësi/ Kush është Claudia Sheinbaum, fituesja e zgjedhjeve në Meksikë

Politikania 61-vjeçare pritet të sjellë frymë të freskët në skenën qendrore politike të vendit. Ajo ka shërbyer si kryetare e qytetit të Mexico City.

3 Qershor 2024, 13:09 Nga r.ll
Presidentja e parë femër në 200 vjet pavarësi/ Kush
claudia sheinbaum

MEKSIKË- Claudia Sheinbaum u zgjodh presidentja e parë e Meksikës. Autoriteti zyrtar zgjedhor i Meksikës tha se rezultatet paraprake tregojnë se Sheinbaum fitoi midis 58% dhe 60% të votave në zgjedhjet e së dielës. Rezultati i siguron asaj fitore bindëse kundrejt rivales Xochitl Galvez, tha autoriteti zgjedhor. Sheinbaum do ta zëvendësojë mentorin e saj, presidentin në largim, Andres Manuel Lopez Obrador, nisur nga 1 tetori.

Politikania 61-vjeçare pritet të sjellë frymë të freskët në skenën qendrore politike të vendit. Ajo ka shërbyer si kryetare e qytetit të Mexico City. Claudia Sheinbaum ka lindur në vitin 1962. Ajo ka studiuar fizikë dhe ka kryer doktoraturën në inxhinieri energjetike. Sheinbaum ka punuar për vite si studiuese dhe është marrë me mbrojtjen e mjedisit që në moshë shumë të hershme. Ajo u zgjodh kryetare e bashkisë së periferisë së Tlalpan në vitin 2015 dhe tre vjet më vonë u bë kryetare e qytetit të Meksikos dhe kryetare e qeverisë lokale, gruaja e parë në historinë e qytetit që e bën këtë.

Gjatë pandemisë Covid-19, Sheinbaum zbatoi një politikë shumë të ndryshme nga ajo e qeverisë qendrore të vendit, duke promovuar parandalimin dhe shkencën në përgjithësi. Ajo bëri ndryshimin, po të kemi parasysh se si në Meksikë ashtu edhe në shumë vende të Amerikës Qendrore dhe Latine kishin dominuar populistët, të cilët thuajse e ndalonin botën të vaksinohej dhe të respektoheshin masat mbrojtëse ndaj virusit.

“Unë besoj në shkencë”, është motoja e Sheinbaum, e cila vjen nga një familje shkencëtarësh pozitivë dhe planet dhe veprimet e saj i mbështet në studimin e të dhënave.

Presidentja e re e përkufizon veten si feministe, beson në barazinë gjinore, mbështet të drejtën për abort, diçka shumë e rëndësishme në një vend konservator që vetëm një vit më parë legalizoi abortin deri në 12 javë të shtatzënisë, dhe promovon të drejtat e komunitetit LGBTQ+.

Një nga synimet e saj kryesore është të përballet me nivelet e larta të krimit, por pa zbatuar politika ekstreme represioni, në të cilat ajo nuk beson. Ajo beson se e majta moderne duhet të promovojë sigurimin e të drejtave themelore për të gjithë banorët e vendit të saj dhe këtë synon të bëjë që nga 1 tetori, kur merr detyrën.

Po ashtu, ajo është politikania e parë hebreje që bëhet presidente në një vend të dominuar nga katolikët. Zgjedhja e Sheinbaum është premtuese dhe mbetet të shihen në veprim planet e saj për zhvillimin e vendit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për të gjithë qytetarët.

claudia sheinbaum zgjedhjet ne meksike

Sondazh

Poll