Sport

Keylor Navas befasisht, i jep lamtumirën kombëtares së Kosta Rikës…

Portieri në moshën 37-vjeçare, ka luajtur 114 ndeshje për vendin e tij

24 Maj 2024, 13:30 Nga DOSJA

Keylor Navas befasisht, i jep lamtumirën kombëtares së Kosta

KOSTA RIKA - Portieri Keylor Navas njoftoi këtë të enjte tërheqjen e tij nga kombëtarja e Kosta Rikës, pasi luajti më shumë se 100 ndeshje ndërkombëtare dhe tre Kupa Botërore, duke falënderuar shokët dhe tifozët për mbështetjen që i dhanë gjatë karrierës së tij.

"Është një ndjenjë e hidhur, e vështirë për t'u asimiluar. Kjo fazë e jetës sime me kombëtaren ka marrë fund",- tha ish-portieri i Real Madrid dhe PSG në një video të publikuar në rrjetet e tij sociale.

Navas, 37 vjeç, pensionohet nga kombëtarja e Kosta Rikës disa ditë para fillimit të kualifikimeve të Kupës së Botës 2026 dhe Kupës së Amerikës.

“Këtij kapitulli të jetës sime, plot sfida, disfata dhe fitore, i vjen fundi. Unë largohem me një zemër plot mirënjohje dhe me sytë e mi që shikojnë përpara, duke mbajtur gjithmonë emrin e Kosta Rikës sonë të dashur, një vend të vogël territori, por i madh në zemër”,- tha ai.

Portieri, fitues i tre Champions League me Real Madridin dhe që sapo ka përfunduar kontratën me klubin francez PSG, tha se ka përmbushur shumë ëndrra që kishte që në fëmijëri dhe se e ka arritur duke “këmbëngulur, luftuar me dashuri dhe vendosmëri”.

Portieri, i konsideruar nga shumë si futbollisti më i mirë në historinë e Kosta Rikës, ka luajtur në Botërorin e Brazilit 2014, Rusisë 2018 dhe Katarit 2022 dhe gjatë karrierës së tij ka grumbulluar 114 ndeshje me kombëtaren.

Portieri, klubi i ardhshëm i të cilit për sezonin e ardhshëm nuk dihet ende, ishte ndër planet e trajnerit të Kosta Rikës, argjentinasit Gustavo Alfaro, për fillimin e kualifikueseve të Botërorit 2026 dhe për Kupën e Amerikës muajin e ardhshëm.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll