Aktualitet

“Kokat” e bandës së Shijakut në shënjestrën e SPAK, urdhër arreste për Astrit dhe Altin Avdylajn

Mësohet se hetimet nisën pas transkriptimeve të bisedave përmes kodeve “Sky” që këta persona përdornin me njëri-tjetrin.

17 Maj 2024, 12:10 Nga M.B
“Kokat” e bandës së Shijakut në shënjestrën
Vëllezërit Avdylaj

SHIJAKU- Lidhur me operacionin e sotëm të zhvilluar me urdhër të SPAK, janë lëshuar urdhër arreste ndaj dy vëllezërve, kokat e bandës së Shijakut, Astrit dhe Altin Avdylaj. Mësohet se hetimet nisën pas transkriptimeve të bisedave përmes kodeve “Sky” që këta persona përdornin me njëri-tjetrin. Astrit Avdylaj, me nofkën Niçja, njihet si kreu i bandës së Shijakut dhe ndaj tij ka pasur akuza lidhur me lëndët narkotuke, vrasje, prostitucion, por edhe për lidhje të forta politike, së bashku me vëllanë e tij Altin Avdylaj.

Rrugëtimi kriminal i Avdylajve ka nisur që në vitet 90′, ku në 1996-ën është vrarë me armë zjarri Dritan Avdyli, kushëriri i parë i Astrit Avdylit. Astrit Avdyli, djali i xhaxhit të Dritanit, i dënuar më parë për prostitucion në Itali ka marrë hak duke vrarë në qendër të Shijakut personin që nxori në pritë Dritanin.

Ndërkohë, operacioni i tetorit 2018 “Vol-Vo 4” arrestoi plot 22 persona. Sipas Gjykatës së Krimeve të Rënda, rezultoi se ekzistonin lidhje mes disa organizatave kriminale më në zë në vend, të cilët trafikonin kokainë dhe heroinë nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Evropian, të drejtuara nga Shijaku e Maminasi, ndërsa për kanabisin ishin të angazhuara dhe organizatat e tjera kriminale. Banda e Avdylajve në Shijak bashkëpunonte me atë të Bajrave në Shkodër dhe Ndokajve në Lezhë. Në krye të tyre ishte i njohuri Astrit Avdyli ose ndryshe Astrit Balliu që merrej me trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë. Hetimet për këtë çështje janë nisur që në dhjetor të vitit 2016.

Hakmarrja vijoi pasi vëllai i Astritit, Shkëlqimi vrau në Tiranë, Durim Kusin. Në fillim të vitit 2019, VOA dhe BIRN bënë një investigim të dosjes 339, ku u fokusua tek një nga kapot e grupit Avdylaj, i cili u lirua nga burgu, ku ishte për vrasje para se të mbaronte dënimin. Astrit Avdyli u lirua 3 vite para se të mbaronte dënimin pasi u ekzaminua me “depresion dhe tentativa vetëvrasëse”.

Media gjermane “Bild” publikoi biseda të tij dhe me ish-kreun e Bashkisë Durrës, Vangjush Dako ku flitej për sigurimin e votave, por edhe për influencë në përzgjedhjen e kandidateve për deputetë të PS në këtë qark në zgjedhjet e 2017. I dënuar me 16 vjet burg për një vrasje të ndodhur në vitin 1997, Avdyli ndërmori një betejë ligjore 10-vjeçare për lirim të parakohshëm nga burgu i Shënkollit-dhe në fund e fitoi.

Dokumentet gjyqësore tregojnë se Astrit Avdyli u lirua pas 13 vitesh burg, pasi siguroi më parë një raport mjekësor që e diagnostikonte atë me “depresion endogjen me tentativa vetëvrasëse”. Ai doli nga burgu më 2 mars 2016, pasi Gjykata e Lartë urdhëroi lirimin e tij me argumentin se “qëndrimi në burg i rrezikonte jetën”.

spak

Sondazh

Poll