Politike

Vrasja e efektivit në Fier/ Mbahet një minutë heshtje te "Siguria", Salianji: Gjendja e kriminalitetit në vend është e rëndë

Deputeti demokrat Ervin Salianji shprehu ngushëllimet për familjarët, ndërsa dënoi ashpër ngjarjen e rëndë.

14 Maj 2024, 14:22 Nga r.ll
Vrasja e efektivit në Fier/ Mbahet një minutë heshtje te
komisioni i sigurise

TIRANË- Vrasja e efektivit të forcave “Shqiponja”, Novruz Cenalia që tronditi Fierin dhe gjithë vendin, është diskutuar edhe në Komisionin e Sigurisë.

Deputeti demokrat Ervin Salianji shprehu ngushëllimet për familjarët, ndërsa dënoi ashpër ngjarjen e rëndë. Salianji propozoi një minutë heshtje në nder të policit të vrarë. Pas kësaj, anëtarët e Komisionit të Sigurisë kanë mbajtur heshtje në nderim të efektivit të ndjerë.

“Ne i bashkohemi dhimbjes të familjarëve të policit të vrarë, por edhe dhimbjes së kolegëve të tij që humbën një djalë të ri. Ne e dënojmë me ashpërsinë më të madhe këtë ngjarje dhe organet ligjzbatuese duhet të përdorin forcën më të madhe që i jep ligji për të nxjerrë para drejtësisë autorin dhe për të marrë ndëshkimin e merituar. Ne do të marrim pjesë në çdo homazh, ishallah i fundit, që ka të bëjë me punonjës policie që humbin jetën. Fakti që vihet dorë mbi punonjës të Policisë së Shtetit tregon fatkeqësisht që gjendja e kriminalitetit në vend është e rëndë. Ne duhet të bëjmë më shumë që të merren masa, që ngjarje të tilla mos ndodhin më. Do dëshiroja që në nder të efektivit të vrarë të mbanim 1 minutë heshtje”, tha deputeti.

Azgan Mërnica, autori i vrasjes vazhdon të jetë i lirë ndërsa vijojnë kërkimet intensive nga FNSH, RENEA dhe policia e Fierit për kapjen dhe arrestimin e tij. Gjithashtu mbeten të paqarta shkaqet që çuan në vrasjen e efektivit pak metra larg shtëpisë së tij. Cenaliaj ndodhej jashtë orarit të shërbimit kur u ekzekutua pasi ishte turn i dytë.

novruz cenalia azgan mernica

Sondazh

Poll