Aktualitet

Besimtarët ortodoksë në gjithë vendin festojnë sot ditën e Pashkëve

Në Tiranë, mesha e shenjtë e Pashkës u kremtua në Katedralen "Ngjalla e Krishtit", nën drejtimin e Kryepeshkopit Anastas Janullatos.

5 Maj 2024, 08:28 Nga r.ll
Besimtarët ortodoksë në gjithë vendin festojnë sot
kisha ortodokse ne tirane

TIRANË- Ditën e sotme besimtarët ortodoksë festojnë Pashkët. Me lutjet për paqe dhe mirësi, besimtarët ortodoksë ndoqën meshën e ngjalljes së Krishtit në Kishat dhe Katedralet në gjithë vendin, ngjarje e cila kulmoi në mesnatën mes 4 dhe 5 majit. Në Tiranë, mesha e shenjtë e Pashkës u kremtua në Katedralen "Ngjalla e Krishtit", nën drejtimin e Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Pas meshës, besimtarët u largohuan me qirinj të ndezur në duar, që simbolizon dritën e shpresës për të çuar në shtëpitë e tyre mirësi dhe begati.

Në vigjilje të Pashkës, kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos uroi të gjithë besimtarët, i cili tha se vëmendja këtë vit shkon në vendet e përfshira në konflikte si Ukraina, Gaza e Sudani.Kryepeshkopi flet edhe për më shumë dashuri në vendin tonë, 'të cilin shpeshherë e mundojnë mërzitë, përçarjet, armiqësitë, sëmundjet e rënda, krizat e shumëllojshme. Besimi i krishterë na fuqizon me një siguri të plotë”, thekson Fortlumturia e tij në mesazhin e Pashkëve.

Pashka ortodokse kremtohet të dielën e parë pas ekuinoksit të pranverës, apo të dielën e parë pas hënës së parë të plotë të muajit. Sipas interpretimit biblik me ringjalljen e Krishtit ndodh kalimi nga vdekja në jetë nga e Premtja e madhe kur vdes Jezu Krishti në të Dielën e Pashkëve kur ngjallet. Fjala Pashkë shoqërohet me fjalën e ndritshme, duke treguar ose simbolizuar dritën, që del nga varri i Krishtit. Madje për të përforcuar ndritshmërinë e Pashkës besimtarët marrin me anë të llambave të zbukuruara dritën, të cilën klerikët e marrin nga flaka e kandilit të pashuar të Tryezës së Shenjtë, e cila simbolizon varrin e Krishtit të ngjallur dhe e çojnë në shtëpitë e tyre, duke bërë kryqin në pragun e shtëpisë dhe duke e mbajtur këtë flakë të pashuar për 40 ditë.

pashket ortodokse

Sondazh

Poll