Politike

Apeli i GJKKO nuk ndryshon masën e sigurisë, lihen në arrest shtëpie Berisha dhe Malltezi

Avokatët e Berishës dhe Malltezit kanë bërë kërkesë për revokimin e masës së sigurisë, por Apeli ka vendosur që të rrijë në fuqi vendimi i shkallës së parë.

3 Maj 2024, 12:15 Nga I.A
Apeli i GJKKO nuk ndryshon masën e sigurisë, lihen në arrest
Berisha dhe Malltezi

TIRANË- Apeli i Gjykatës së Posaçme vendosi të rrëzojë një tjetër kërkesë për ndryshimin e masës së sigurisë për kryedemokratin Sali Berisha dhe për dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi. Apeli vendosi ditën e sotme që të lërë në fuqi masën e sigurisë arrest shtëpie, edhe pse akualisht ndodhen nën hetim dhe nuk ka asnjë akuzë ndaj tyre. Avokatët e Berishës dhe Malltezit kanë bërë kërkesë për revokimin e masës së sigurisë, por Apeli ka vendosur që të rrijë në fuqi vendimi i shkallës së parë. Ndërkohë që avokati i Berishës, Genc Gjokutaj tha se si zakonisht, gjykata vendosi siç kërkoi prokuroria.

"Ne sot kishim dy objekte që ishin revokimi i masës së sigurimit dhe diligjenca dymujore, afërmend që gjykata vendosi si kërkoi prokuroria dhe u rrëzua kërkesa për revokimin e masës së sigurisë. Ajo që është alarmante për një proces të rregullt ligjor është që diligjenca dymujore ishte kopje e dy muajve të para, i njëjti tekst me të njëjtat fakte dhe kishte një tekst që SPAK i kishte dërguar zyrës së mbrojtjes kundër zjarrit në lidhje me ndërtimet nëse kishin ose jo mbrojtje nga zjarri dhe kjo është një gjë, e cila do t'i japë një shtysë shumë të madhe hetimit. Ky është një skandal më vete dhe ndërkohë që lideri i opozitës vazhdon arrestin shtëpiak pa u zhvilluar hetimet dhe pa u gjetur prova të reja. Ne nuk kemi humbur në shkallët e gjykatave, por ne kemi dokumentuar shkeljet skandaloze të këtyre gjykatave në këtë proces," tha Gjokutaj.

Berisha ka bërë disa herë kërkesë për ndryshim të masës së sigurisë, por ajo është refuzuar. Po ashtu ai ka kërkuar që të jetë i pranishëm në seancat plenare, si e drejtë e tij për të përfaqësuar interesin e qytetarëve që e kanë zgjedhur, në Kuvend. Pavarësisht pretendimeve të tij, GJKKO ka refuzuar kërkesat. Prej 30 dhjetorit 2023 Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie, masë e caktuar nga Gjykata e Posaçme, pas kërkesës së SPAK. Ish-kryeministri Berisha, nën hetim nga SPAK akuzohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për të favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv "Partizani", mbi të cilin ndërtoi më pas 19 kulla.

sali berisha jamarber malltezi

Sondazh

Poll