Politike

Klodiana Lala nxjerr dokumentin: SPAK i kishte dërguar fletëthirrje, Veliaj nuk kishte shkuar vullnetarisht

Në dokumentin e publikuar nga gazetarja Lala, thuhet se kërkesa ndaj Veliajt është bërë më 24 prill. 

30 Prill 2024, 21:36 Nga N.F
Klodiana Lala nxjerr dokumentin: SPAK i kishte dërguar fletëthirrje,
Klodiana Lala

TIRANË- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ditën e sotme u paraqit ne ambientet e SPAK ndersa deklaroi para mediave se kishte shkuar vullnetarisht për të dëshmuar për dosjen e inceneratorëve. Në lidhje me paraqitjen e Veliajt në SPAK gazetarja Klodiana Lala ka publikuar në emisionin “Open” në "News 24" një dokument sipas të cilit SPAK i ka dërguar fletëthirrje kryebashkiakut.

Në dokumentin e publikuar nga gazetarja Lala, thuhet se kërkesa ndaj Veliajt është bërë më 24 prill. 

Fletëthirrja:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar

Urdhër për thirrjen e shtetasit Erion Veliaj

Tiranë, 24 prill 2024

Unë, Dritan Prençi, me detyrë prokuror në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar në zbatim të nenit 312 të Kodit të Procedurës Penale për marrjen e të dhënave në funksion të hetimit të procedimit penal numër 255 viti 2020.

Urdhëroj: Shtetasi Erion Luan Veliaj, i ditëlindjes 17.12.1979, me detyrë kryetar i Bashkisë Tiranë, të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në datën 30 prill 2024, ditën e martë, në orën 10:00, tek hetuesi A. S., për marrjen e të dhënave për rrethana të dobishme në funksion të hetimit procedurial penal numër 255, viti 2020 (me vete të ketë dokument identifikimi).

Paraqitja e shtetasit të mësipërm kërkohet me qëllim pyetjen e tij si person që ka dijeni lidhur me rrethanat e hetimit, lidhur me hetimet paraprake procedimi penal 255, viti 2020.

Në rast mosparaqitjeje, ditën dhe orën e caktuar, pa pasur pengesa të ligjshme, paralajmërohemi se në bazë të nenit 312/2 të Kodit të Procedurës Penale, do të urdhërohet shoqërimi juaj i detyrueshëm nga Policia Gjyqësore.

Njoftimi i mësipërm të kryhet me anë të shërbimit postar në adresën e punës Bashkia Tiranë.

Prokurori i çështjes, Dritan Prençi

Veliaj është paraqitur paraditen e sotme në Prokurorinë e Posaçme ku është pyetur për rreth 7 orë e gjysmë. Ai e kishte paralajmëruar vetë ditën e shtunë që do të paraqitej në SPAK. Ai është thirrur nga prokurori i posaçëm Dritan Prenci, si person që ka dijeni në lidhje me inceneratorin e Tiranës.

Për aferën e inceneratorit të Tiranës është caktuar masë arresti në burg për Alqi Bllakon, Taulant Tushën, Namik Simirxhiun, Bledar Karolin dhe Lefter Kokën. Ndërsa në 'arrest shtëpie' janë 7 të tjerë, konkretisht Etleva Kondi, Valbona Ballgjini, Alba Thoma, Sidita Kopliku, Silena Toma, Pëllumb Abeshi dhe Jetmir Llapaj. Të akuzuarit Erjon Murataj dhe biznesmenët pronar të "Integrated Energy B.V SPV” Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, janë në kërkim.

erjon veliaj klodiana lala

Sondazh

Poll