Bota

Sveçla: Beogradi bojkotoi dhe sabotoi procesin demokratik të votimit! Kosova është e gjithë qytetarëve pa dallim

Sveçla në reagimin e tij është shprehur se Lista Serbe si në të kaluarën ashtu edhe tani udhëzohet nga Beogradi ku përmes formave të ndryshme kanë bërë që serbët të bojkotojnë procesin e sotëm. Ai më tej në reagim ka përgëzuar institucionet e sigurisë për përmbylljen e këtij procesi pa incidente.

21 Prill 2024, 22:06 Nga N.F
Sveçla: Beogradi bojkotoi dhe sabotoi procesin demokratik të
Xhelal Sveçla

KOSOVË- Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla ka reaguar pas dështimit të referendumit për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë nga katër komunave veriore të Kosovës. Sveçla në reagimin e tij është shprehur se Lista Serbe si në të kaluarën ashtu edhe tani udhëzohet nga Beogradi ku përmes formave të ndryshme kanë bërë që serbët të bojkotojnë procesin e sotëm. Ai më tej në reagim ka përgëzuar institucionet e sigurisë për përmbylljen e këtij procesi pa incidente.

“Përgëzoj institucionet tona të sigurisë falë përkushtimit të së cilave sot përmbyllëm këtë ditë të zgjedhjeve pa asnjë incident të vetëm në katër komunat veriore. Republika e Kosovës i dha mundësinë qytetarëve të katër komunave veriore që sot të vendosin për kryetarët e katër komunave të tyre. Në anën tjetër, Lista Serbe si në të kaluarën ashtu edhe tash, përmes formave të ndryshme të udhëzuar nga Beogradi bojkotoi e sabotoi procesin demokratik si mundësi për të çuar komunat në zgjedhje të reja. Ky subjekt i mishëruar me metoda jodemokratike nuk e gjen asesi veten te një proces kaq demokratik,” tha ai.

Sveçla më tej shtoi se ata do të vazhdojmë angazhimin e tyre për qytetarët dhe se institucionet do të jenë në shërbim të të gjithëve dhe për sigurinë e vendit. Ai gjithashtu tha se Kosova është Republikë demokratike, e gjithë qytetarëve pa dallim.


“Komisioni Qendror Zgjedhor në bashkëpunim me institucionet tjera edhe njëherë dëshmoi përkushtim në zbatimin e mandatit të tij dhe respektimin e plotë të të drejtës së qytetarëve për të vendosur për të ardhmen e tyre.  Ne do të vazhdojmë angazhimin tonë për qytetarët tanë pavarësisht dallimeve, institucionet tona do të jenë në shërbim të të gjithëve dhe për sigurinë e vendit tonë. Kosova është Republikë demokratike, e gjithë qytetarëve pa dallim”, ka shkruar Sveçla.

xhelal sveçla beograd referendumi per kryetaret ne veri

Sondazh

Poll