Sport

Portieri i Kosovës në rradhët e Burnley në Premier League, nga “ferri” në “parajsë”!

Muriç bëri tre pritje fantastike në minutat 8’, 16’ dhe 19’, duke mbajtur portën të paprekur, teksa pikërisht nga kjo u frymëzuan shokët e tij të skuadrës, që shënuan dy herë në pjesën e parë dhe vendosën avantazh të dyfishtë.

21 Prill 2024, 00:43 Nga DOSJA
Portieri i Kosovës në rradhët e Burnley në Premier League,

ANGLI - Arijanet Muriç është ngritur sërish në piedestal me skuadrën e tij, Burnleyn. Vetëm një javë pas gafës së rëndë, që bëri xhiron e botës dhe që i kushtoi dy pikë me mjaft vlera Burnleyt, gardiani i Kosovës u bë protagonist absolut në triumfin 1-4 që skuadra e tij mori në transfertën ndaj Sheffield United.

Muriç bëri tre pritje fantastike në minutat 8’, 16’ dhe 19’, duke mbajtur portën të paprekur, teksa pikërisht nga kjo u frymëzuan shokët e tij të skuadrës, që shënuan dy herë në pjesën e parë dhe vendosën avantazh të dyfishtë. Edhe pjesa e dytë nisi vrullshëm për Sheffield United, por Muriç bëri një tjetër pritje spektakolare, ndërsa të njëjtën gjë bëri edhe në shtesë, kur rezultati ishte vendosur 1-4 në favor të Burnleyt, teksa gjithë ndeshjen e mbylli me plot 10 pritje, njëra më e bukur se tjetra.

Vlen të theksohet se Sheffield United tento të gjejë golin plot 18 herë në këtë takim, duke dërguar në kuadrat 11 gjuajtje, 10 prej të cilave u pritën mjaft bukur nga Muriç dhe vetëm njëra u ndal në rrjetë. Burnley shpreson tashmë vërtetë te mbijetesa, pasi kur kanë mbetur edhe tre javë nga fundi i sezonit, është vetëm tre pikë larg skuadrës që renditet e 17-a dhe që është e fundit që siguron qëndrimin në Premier League.

Sfida e radhës për Burnleyn do të jetë transferta e vështirë ndaj Manchester United në “Old Trafford”, por me një Muriç në formë të tillë, asgjë nuk është e pamundur.

B.T (Dosja.al)

Sondazh

Poll