Bota

Kritikat e Serbisë pas votimit në Asamble për anëtarësimin e Kosovës në KiE, O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët serb

Gjatë një interviste për televizionin Pink më herët të premten, presidenti serb e cilësoi takimin e ardhshëm me zyrtarin amerikan si një “bisedë të vështirë dhe të rëndësishme”.

19 Prill 2024, 22:24 Nga r.ll
Kritikat e Serbisë pas votimit në Asamble për
james obrien

SERBI- Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O'Brien, do ta vizitojë Beogradin këtë të shtunë, për takime me liderët e Serbisë, presidentin Aleksandar Vuçiç dhe kryeparlamentaren Ana Bërnabiç, njoftoi të premten Presidenca serbe. Zyrtari i lartë amerikan do të takohet së pari me Bërnabiçin dhe pastaj me presidentin Vuçiç mëngjesin e së shtunës.

Gjatë një interviste për televizionin Pink më herët të premten, presidenti serb e cilësoi takimin e ardhshëm me zyrtarin amerikan si një “bisedë të vështirë dhe të rëndësishme”.

Vizita e O’Brien në Serbi vjen në një kohë kur Beogradi zyrtar kritikoi Perëndimin pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, me gjithë përpjekjet e Serbisë për ta pamundësuar këtë dhe përkundër marrëveshjes së Ohrit, sipas së cilës, Serbia u zotua se nuk do ta pengonte anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare

Autoritetet kosovare e akuzuan Serbinë më 17 prill se i ndaloi mbi 1.400 kosovarë për më shumë se 20 orë në pikat kufitare të saj me Kroacinë dhe Hungarinë, të cilët po kalonin transit nëpër Serbi.

Serbia i mohoi akuzat, duke thënë se vonesat u shkaktuan nga masat shtesë të sigurisë në kufi, dhe se lëvizja e qytetarëve kosovarë "nuk është kufizuar".

Qeveria e Kosovës këto veprime i cilësoi si hakmarrje e Serbisë ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Për këtë reaguan Departamenti amerikan i Shtetitdhe Bashkimi Evropian, duke e kritikuar Serbinë për shkelje të marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes dy vendeve. Të premten, Vuçiç e cilësoi si “hipokrit” reagimin e bashkësisë ndërkombëtare në lidhje me ndalimin e qytetarëve të Kosovës në Serbi./REL

james o'brien serbi aleksander vucic

Sondazh

Poll