Aktualitet

Akuzohen për falsifikim pronash në Spitallë, Gjykata e Durrësit lë në burg ish-zyrtarët e hipotekës

Sipas njoftimit të dhënë mesditën e kësaj të diele janë lënë në burg 58-vjeçari Lirim Xhameta dhe 61-vjeçari Dashnor Taulla të cilët akuzohen për “Mashtrim” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

14 Prill 2024, 15:07 Nga N.F
Akuzohen për falsifikim pronash në Spitallë, Gjykata e
Foto ilustruese

DURS- Gjykata e Durrësit ka marrë vendimin ditën e sotme duke lënë në fuqi masat e sigurisë “Arrest me burg” dhe “Detyrim Paraqitje” për ish-zyrtarët e hipotekës, të cilët akuzohen për falsifikim pronash në Spitallë. Sipas njoftimit të dhënë mesditën e kësaj të diele janë lënë në burg 58-vjeçari, Lirim Xhameta dhe 61-vjeçari, Dashnor Taulla të cilët akuzohen për “Mashtrim” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Gjithashtu është lënë në burg 33-vjeçari, Ardit Kërtusha dhe 44-vjeçari, Gjovalin Ndoci po për të njëjtat akuza. Edhe ish-zv/drejtori i Hipotekës së Durrësit, Leonard Kadrimi u la në burg, ndërsa 9 persona të tjerë u lanë nën masën e sigurisë detyrim paraqitje.

Njoftimi i plotë:

-Lirim Xhameta, 58 vjeç dhe Dashnor Taulla., 61 vjeç, të dy banues në Durrës, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”; -Ardit Kërtusha, 33 vjeç dhe Gjovalin Ndoci, 44 vjeç, të dy banues në Durrës, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”; -Leonard Kadrimi, ish-zv/drejtori i Hipotekës së Durrësit ( 2018-2020).

Ndërkohë, 9 shtetas të tjerë konkretisht: Muzejen Xhameta, 55 vjeçe, Klaudio Xhameta, 34 vjeç, Ëngjëll Taulla., 63 vjeç, Kastriot Taulla, 58 vjeç, Shkëlqim Taulla, 66 vjeç, Shqiponjë Vaka., 68 vjeçe, Bukuroshe Bega, 59 vjeçe, Oliver Xhamuça., 46 vjeç dhe Aida Kila, 47 vjeçe (ish-juriste e ASHK Durrës), janë nën masën e sigurisë detyrim për paraqitje.

Ndërsa janë shpallur në kërkim edhe dy shtetas të tjerë: -M. Z., 46 vjeç, banues në Durrës, ish-jurist i ASHK Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; -K. K., 65 vjeç, banues në Durrës, “Mashtrimi” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Pesë persona janë vënë në pranga dhe dy janë shpallur në kërkim pas finalizimit të një vit hetimesh të disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve në Kadastrën e Durrësit. Të arrestuarit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tjetërsuar dokumentet e një toke me sipërfaqe 448 000 m2, në lagjen nr. 15, Durrës. Në pranga janë vënë Lirim Xhameta, Dashnor Taulla, Leonard Kadrimi dhe Gjovalin Ndoci. 

Po ashtu mësohet se, po vijon puna për kapjen e 2 personave të tjerë, ish-juristi i kadastrës Mikel Zaho dhe Krenar Kara. Ndërkohë, të arrestuarit e tjerë Lirim Xhameta, Dashnor Taulla, dhe Gjovalin Ndoci, kanë thënë se kanë qenë të rregull me pronat. Konkretisht, bëhet fjalë për një tokë shtetërore që është privatizuar pranë universitetit “Aleksandër Moisiu” në Spitall.

durres gjykata arrest me burg

Sondazh

Poll